Shtim i vaksinimit, efektiv për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse

Opoja.net Opoja.net Shëndeti

Java Botërore e Imunizimit në Kosovë u përmbyll me aktivitete dhe mesazhe vetëdijesuese me moton “Imunizimi është i mundshëm për të gjithë”, raporton Ekonomia Online.

Institucionet shëndetësore dhe partnerët ndërkombëtarë theksuan përparimin e Kosovës në zgjerimin dhe përmirësimin e mbulueshmërisë me vaksina.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se falë përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në mbrojtjen e fëmijëve dhe komuniteteve nga sëmundjet ngjitëse.

“Në Kosovë përmes përkrahjes së partnerëve tanë, kemi arritur që t’i mbrojmë fëmijët tanë dhe komunitet nga shumë sëmundje ngjitëse. Zbatimi i programit të zgjeruar të imunizimi është një nga prioritetet e qeverisë së Kosovës, duke synuar përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve. Gjatë viteve 2023-2024 është pesëfishuar buxheti për vaksinim dhe kalendarit të rregullt i janë shtuar edhe tri vaksina. Vetëm gjatë vitit të parë të zbatimit të planit  në vitin 2023 janë vaksinuar kundër HPV 10 mijë vajza. Këtë vit janë mbi 13 mijë vajza dhe djem”, tha ajo.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ardita Baraku, theksoi rëndësinë e vazhdimit të vaksinimit si mjet efektiv për parandalimin e sëmundjeve infektive.

“E para: vaksinat janë mjete shumë efektive për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Falë vaksinave është arritur që të eliminohen disa sëmundje ngjitëse. Ka raste kur prindërit hezitojnë që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Falë punës sonë të madhe numri i tyre është i vogël”, tha ajo.

Edita Goranci-Haxhiu, përgjegjëse për imunizim nga zyra e  OBSH-së në Prishtinë tha se Kosova është shembull i mirë për mbulueshmërinë e lartë krahasuar me vendet e rajonit.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-