Këtu bëhet fjalë për një sigurim të lejuar të jetës, të cilin na e ka garantuar vetë i Dërguari i Allahut (savs), por që, për fat të keq, shumë muslimanë sot e kanë lënë pas dore.
Sigurimi i parë:
I Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut, ai është nën mbrojtjen e Allahut.”
Kjo është mbrojtja më e sigurt për fillimin e ditës, më e vlefshme se çdo polici, sigurim ose mbështetje tjetër tokësore.
Sigurimi i dytë:
I Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Kush e lexon Ajetul-Kursinë pas çdo namazi farz, nuk do ta pengojë asgjë për të hyrë në Xhenet – përveç vdekjes.”
Leximi i Ajetul-Kursisë pas çdo namazi është garanci për hyrjen në Xhenet – nëse njeriu vdes në atë gjendje.
Sigurimi i tretë:
Kush e shqipton këtë lutje me bindje të plotë gjatë ditës dhe vdes para mbrëmjes – do të hyjë në Xhenet. Po ashtu, kush e thotë gjatë natës dhe vdes para mëngjesit – do të hyjë në Xhenet.
Lutja është: “Allahumme Ente Rabbi, la ilahe il-la Ente, halaktëni ve ene ‘abduke, ve ene ‘ala ahdike ve va‘dike masteta’tu, e‘udhu bike min sherri ma sana‘tu, ebu‘u leke bi ni‘metike alejje ve ebu‘u bi dhenbi, fagfir li, fe innehu la jagfirudh-dhunube il-la Ente.”
Përkthimi: “O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Teje. Më ke krijuar dhe unë jam robi Yt. Unë jam në besëlidhjen Tënde dhe në premtimin Tënd, aq sa kam mundësi. Të kërkoj mbrojtje nga e keqja që kam bërë. E pranoj mirësinë Tënde ndaj meje, dhe i pranoj mëkatet e mia. Më fal, sepse askush nuk i fal mëkatet përveç Teje.”
Sigurimi i katërt – kundër fatkeqësive të papritura
I Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Kush e thotë tri herë, në mbrëmje: ‘Bismil-lahil-ledhi la jedurru me‘asmihi shej’un fil erdi ve la fis-sema’i ve Huves-Semi‘ul-‘Alim’ (që do të thotë: ‘Në emër të Allahut, me emrin e të Cilit asgjë nuk mund të sjellë dëm, as në Tokë e as në qiell. Ai është Dëgjuesi dhe i Dijshmi’), atij nuk do t’i ndodhë asgjë e papritur deri në mëngjes.” Po ashtu, kush e shqipton këtë tri herë në mëngjes, ai është i mbrojtur deri në mbrëmje.”
Ky është sigurimi më i shpejtë që i mbulon të gjitha rreziqet, nga më të fshehtat deri te më të dukshmet – me garanci hyjnore.
Sigurimi i pestë – Sigurimi gjithëpërfshirës që e ruan fenë dhe jetën
Lutja: “Allahumme ja men la judajji‘u vedāi‘ahu, estevdi‘uke nefsī, ve dīnī, ve bejtī, ve ehlī, ve mālī, ve havatime a‘mālī. Fahfedhna bimā tahfedhu bihī ibādikes-sālihīn.”
Përkthimi: “O Allah, o Ti që nuk i humb kurrë amanetet që të dorëzohen, Ty ta dorëzoj shpirtin tim, fenë time, shtëpinë time, familjen time, pasurinë time dhe fundin e veprave të mia. Na ruaj me mbrojtjen që ua jep robërve Tu të mirë.”
Kjo është një lutje gjithëpërfshirëse që siguron jetën, fenë, pasurinë, familjen dhe përfundimin e mirë të jetës – si një “policë sigurimi” e përhershme me mbrojtje nga Allahu.
Përfundim
Këto janë pesë llojet e sigurimit më të lartë dhe më të sigurt, të garantuara nga Pejgamberi (savs) – pa kosto financiare, pa dokumente, pa afat skadence. Ato janë sigurime hyjnore, të vlefshme për ata që i përkujtojnë dhe i praktikojnë me besim të sinqertë.
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.