Situatë serioze në kufirin Kosovë -Serbi, çfarë armatimi ka sjellë aty Serbia sipas SHBA-së

Opoja.net Opoja.net Kosova

Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar për Siguri të SHBA-së, John Kirby në një konferencë për media ka thënë se Serbia ka grumbulluar numër të madh trupash në afërsi të kufirit me Kosovën.

Sipas tij, ky është “një zhvillim shumë destabilizues dhe ne po i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë forcat nga kufiri dhe të ulë tensionet”.

Kirby ka shtuar se SHBA’të janë duke e monitoruar një dislokim të  madh ushatark serb duke e përmendur edhe llojin e armatimit.

“Përtej këtij incidenti, ne po monitorojmë një dislokim të madh ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën që përfshin një organizim të paprecedentë të artilerisë, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë serbe” ka thënë ai

Tutje, ai ka thënë se SHBA’të janë duke punuar me aleatët në NATO për këtë çështje.

“Ky është një zhvillim shumë destabilizues dhe ne po i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë forcat nga kufiri dhe të ulë tensionet.

Përtej angazhimeve tona diplomatike, Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët tanë të NATO-s për të adresuar këto përpjekje për të destabilizuar Kosovën dhe për të minuar sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”, ka theksuar John Kirby.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar që autorët e krimit të “mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”.

Vuçiq, ndërkaq, më herët tha se Blinken ka paralajmëruar masa ndaj Serbisë.

Kosova ka thënë se rreth 30 sulmues të maskuar dhe armatosur kanë sulmuar Policinë në Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve të grupit të armatosur me Policinë në manastirin e Banjskës, kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për Serbinë, lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

Serbia ka mohuar çdo përfshirje.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-