Sqarim nga Drejtori i Radio Sharrit, Beqir Beqaj

Senat Trupaj Senat Trupaj Opoja

Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të Drejtorit të Radio Sharrit:

SQARIM PUBLIK…

– Më datën 13 qershor të këtij viti, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, kishte postuar në profilin e tij në Facebook një reagim, përmes të cilit fajësonte institucionin mediatik që e drejtoj unë (Radio SHARRI), se nuk e paska kryer punën siç duhet kundrejt Komunës, saktësisht, nuk e paska transmetuar LIVE mbledhjen solemne për Ditën e Çlirimit, si dhe ceremoninë e binjakëzimit të Komunës së Dragashit me Komunën e Mavrovës – Rostushës, nga Maqedonia e Veriut!
Kryetari, në këtë postim, e kishte cilësuar këtë si “akt të papranueshëm dhe sabotazh ndaj Ditës së Çlirimit, si dhe ndaj punës së Kryetarit dhe Kryesueses së Kuvendit”.
Akuza për sabotim, realisht na ka fyer pa masë sepse, për 26 vjet punë, kjo medie e parë shqiptare në këto troje, asnjëherë nuk ka sabotuar dikë. Përkundrazi, është sabotuar shpeshherë nga subjekte të ndryshme, sidomos nga subjektet politike. Dhe, për çudi, ende po mbahet në këmbë, falë mundit, vullnetit dhe këmbëngulësisë sime që të mbahet dhe zhvillohet edhe më shumë, për arsyen e vetme se është radio e parë shqiptare, rrjedhimisht edhe pjesë e historisë sonë lokale!
Në fund të reagimit, kryetari paralajmëron rishqyrtimin e kontratës dhe bashkëpunimin e mëtejmë me, po këtë medie, e cila ishte themeluar me shumë mund, dashuri e sakrificë, me ndihmën më të madhe të qeverisë gjermane, e cila, përmes ushtarëve të saj që ishin të stacionuar në regjionin tonë, kishte mundësuar blerjen e pajisjeve bashkëkohore, me shpresë se, në një kohë më të mirë, zgjidhjen e statusit të Kosovës, do të dijmë ta zhvillojmë vetë këtë institucion. Por, ja ku jemi sot! Kaluan 17 vjet që nga pavarësia e Kosovës, e ne ende ballafaqohemi me probleme të tilla.
Sido që të jetë, përkundër argumenteve të shumta që kemi, se nuk jemi fajtorë për asgjë, madje faktit, se kemi bërë edhe më shumë seç parasheh një kontratë e vitit 2013, deri më sot nuk kemi reaguar ndaj këtij veprimi të kreut të Komunës.
Por, pas ngjarjeve dhe zhvillimeve në mbledhjen e sotme të Kuvendit, jemi të detyruar të reagojmë, pasi aty u qortuam, u nënvlerësuam edhe dëgjuam shumë të pavërteta dhe mosnjohje të përmbajtjes së kontratës nga ana e kryetarit, sidomos nga ana e kryesueses, e cila kërkonte një shërbim, i cili nuk parashihet në kontratën që kemi me Komunën, duke e vënë në lajthitje edhe kryetarin Xheladini, i cili njihet për vullnetin e mirë që ka për ta çuar përpara këtë komunë të varfer.

– Me qenë se nga disa anëtarë të kuvendit u kërkua që të jepja sqarime para tyre, në mënyrë që të kuptohej se si qëndron puna, rrjedhimisht edhe të tejkalohej kjo gjendje, po i jap këtu disa argumente:

1. Kontrata që kemi me Komunën, e që kryesuesja thirrej në të, është e vitit 2013, që nënkupton se në atë kohë nuk kishim rrjete sociale, të cilat sot po vlerësohen më shumë se sa mediet që janë të liçencuara dhe që paguajnë një mori taksash e tatimesh.
Kontrata parasheh që radioja ta regjistrojë zërin nga mbledhjet e Kuvendit, për ta transmetuar në mbrëmje, përmes valëve të radios. Prandaj, ajo që po bëjmë ne, duke e regjistruar mbledhjen dhe aktivitetet tjera me pamjet vizuele (video), falë teknologjisë që ka avancuar, e që po i shpërndajmë edhe në rrjetet sociale, është bonus dhe jo obligim sipas kontratës.
Prandaj, të kërkosh transmetim LIVE, i cili është shumëfish më i kushtueshëm se sa regjistrimi i zërit, duke u thirrur në atë kontratë, është jokorrekte, në mos tendecioze.

2. Më herët, vullnetarisht kishim filluar transmetimin LIVE, por jemi ballafaquar sërish me akuza, pasi, sa herë ndërpritej apo dobësohej rrjeti i internetit, ajo pjesë e fjalimeve që transmetohej, mungonte. Për pasojë, merrnim akuza të shumta nga ata, të cilëve iu mungonin pjesë nga fjalimet e tyre, se ne po i largonim qëllimisht ato pjesë, me urdhër të po këtyre pushtetarëve, ndonëse, kishim të tilla kërkesa nga secila palë.
Për t’i ikur kësaj, ne po e regjistronim mbledhjen në tërësi dhe më pas e ngarkonim në rrjete sociale, ku prioritet i jepnim kanalit në Youtube, ku edhe kemi krijuar sektor të veçantë vetëm për mbledhjet e Kuvendit, të cilat secili mund t’i shikojë kurëdo që dëshiron.

3. Ndonëse në mbledhjen e sotme tha se ka kërkuar nga ne sqarime, kryesuesja e kuvendit asnjëherë nuk më ka kontaktuar për të diskutuar se si qëndron puna. Madje, në një mbledhje pati thënë se ka angazhuar tv. Opojën për t’i përcjellë LIVE mbledhjet, me arsyetimin se këtë nuk po e bëkemi ne. Prandaj, ne vazhdonim punën tonë me përgjegjësi të plotë, pa e pasur edhe këtë obligim.
Ne kemi parë se po këtë televizion e ftojnë edhe në aktivitete të tjera, ndërkohë që ne nuk ftohemi dhe nuk kemi reaguar. Nga të gjitha drejtoritë komunale, veçojmë atë për Kulturë, Rini e Sport, e cila na fton zyrtarisht në secilin aktivitet që mbulohet nga ky dikaster.

4. Për 26 vjet bashkëpunim me Komunën, asnjëherë nuk kemi pasur probleme të kësaj natyre. Edhe kur kishim ndonjë lëshim apo kur kishim probleme teknike, ato i zgjidhnim mënjëherë me mirëkuptim. Problemi që nxori krye në mbledhjen e sotme, ka filluar që kur në krye të Kuvendit u emërua, Arjeta Skeraj, e cila fillimisht na akuzonte se po i bejmë hile “me urdhër të kryetarit” për të vazhduar më pas me ngrirjen e raporteve, me mua përsonalisht, për ta sjellë më vonë tv. Opojën që t’i përcjell aktivitetet e Komunës.

5. Anëtarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Suada Bajrami, e cila gjithashtu e sulmoi dhe e akuzoi Radio Sharrin për injorim, duke thënë se ishte e frustruar për faktin se ne nuk e kemi përcjellë një aktivitet të grave në fshatin Bresanë, sikur të na kontaktonte, do ta mësonte faktin se për atë aktivitet, as që na ka njoftuar dikush, lëre më të na ketë ftuar që ta përcjellim. Prandaj, sulmin që e bëri sot ndaj ne, duke e mbështetur qëndrimin e krerëve të Komunës, madje duke mos qenë në linjë me partinë e saj, e konsiderojmë të pavend.

6. Krejt në fund, kryetari deklaroi në Kuvend se “ne e dimë që, po të ankohemi në gjykatë, rrezikojmë ta humbim kontratën afatgjate që kemi me Komunën”.
Jo kryetar, ne as nuk tutemi dhe as nuk frikësohemi për veprimet tona. Por, ne jemi në pritje të një takimi që na ke paralajmëruar se do ta zhvillosh me ne, personalisht me mua. Ne shpresojmë se, po të takoheshim dhe të bisedonim bashkë, do ta gjenim çdo zgjidhje. Kjo, sepse paralajmërimi se për punën që kemi bërë disa ditë radhazi në aktivitetet për Ditën e Çlirimit, nuk do të na paguhen sipas kontratës, kjo nuk mund të ndodhë. Për punën që e kemi kryer, duke bërë më shumë seç parasheh kontrata, ne do ta kërkojmë djersën tonë përmes çdo instance. E për të ardhmen, do të bëjmë ashtu siç do të vendosni ju, ndërsa ne, do të “luftojmë” deri në energjitë e fundit që këtë institucion historik ta mbajmë gjallë!

ZOTI IA DHASHTË SECILIT HAKUN QË MERITON! 🙏

P.S
Respekt dhe mirënjohje, të gjithë anëtarëve nga të gjitha komunitetet që në mbledhjen e sotme u solidarizuan dhe “luftuan” për ta mbrojtur radion tonë… radion që e krijuam dhe po e mbajmë gjallë sot e 26 vjet! 🤲

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-