Takimi u zhvillua përmes tri sesioneve të punës, në të cilat u diskutua për sigurinë rajonale, luftimin e krimit ndërkufitar dhe thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, ministri Sveçla prezantoi përpjekjet dhe rezultatet konkrete të Kosovës në këto fusha.
“Pavarësisht sfidave, Republika e Kosovës ka shënuar suksese të vazhdueshme në forcimin e bashkëpunimit rajonal, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë, luftimin e grupeve kriminale dhe parandalimin e krimeve ndërkufitare”, u shpreh Sveçla.
Ai theksoi se Kosova mbetet aktive dhe e përkushtuar brenda Procesit të Berlinit dhe se kontributi i saj në këtë mekanizëm rajonal është në funksion të paqes dhe stabilitetit të përbashkët.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe aktive në Procesin e Berlinit, duke kontribuar në thellimin e bashkëpunimit rajonal mbi parimet e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim të nivelit të lartë nënvizon rëndësinë që vendi i kushton integrimit rajonal dhe ndërtimit të një arkitekture të përbashkët sigurie, në përputhje me standardet evropiane dhe vlerat demokratike.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

