Të hënën do të fillojë viti i ri shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për masat anti-COVID, shkruan Gazeta Sinjali.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se mbi 65 për qind e punonjësve të arsimit dhe stafit tjetër janë vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës, kurse 90 për qind e tyre me një dozë.
“Mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kujtojmë se në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë, mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë me datën 27 shtator ku në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës.
Postimi i plotë:
Nesër fillon viti i ri shkollor.
Mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat.
Përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues. Prandaj është e domosdoshme të respektohen masat mbrojtëse të rekomanduara nga profesionistët shëndetësor. Kjo është mënyra më e mirë për të vënë nën kontroll pandeminë, duke i kontribuar mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe ruajtjes së shëndetit publik.
Mësuesit e drejtuesit e shkollave kanë shumë punë e përgjegjësi, por jam e bindur se angazhimi dhe kujdesi i tyre nuk do të mungojë. Vaksinimi, respektimi i masave si dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet dhe me prindërit do të na mundësojë një vit të suksesshëm shkollor.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.