Një tërmet me magnitudë 6.1 ka goditur sot rajonin Sındırgı të provincës Balıkesir, në veriperëndim të Turqisë, duke shkaktuar panik tek banorët dhe dëme materiale në disa ndërtesa.
Lëkundjet u ndjenë fuqishëm edhe në qytete të mëdha si Istanbul, Izmir dhe Bursa, çka bëri që mijëra qytetarë të dilnin jashtë shtëpive të tyre.
Ekipet e emergjencës kanë dalë menjëherë në terren për të vlerësuar situatën. Raportohet se disa ndërtesa janë shembur në Sındırgı, por deri tani nuk ka raportime të konfirmuara për viktima.
Sipas autoriteteve, tërmeti ishte i cekët, gjë që e rriti fuqinë e lëkundjes dhe përhapjen e saj në distanca të mëdha.
Turqia është një vend me rrezik të lartë sizmik për shkak të pozicionit të saj në pllakën anatolike, ndaj tërmetet e kësaj natyre përbëjnë kujtesë të vazhdueshme për rëndësinë e ndërtesave të sigurta dhe përgatitjes ndaj fatkeqësive.



Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

