Thaçi, Veseli e të tjerët mbesin në paraburgim

Opoja.net Opoja.net Kosova

Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesat e avokatëve për lirim me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, kështu duke vendosur që t’i lë në paraburgim.

Që në fillim të vitit të ri, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka vendosur që veç e veç, të gjithë të akuzuarve t’ua refuzojë kërkesat për lirim të përkohshëm me kusht.

Sipas parashtresave të kryeprokurorit special, Jack Smith, pretendohet se ka rrezik që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të arratisen, madje të kryejnë ndonjë krim apo të ndikojnë në dëshmitarë.

Në njoftimin e lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, refuzimi i kërkesës për lirimin e përkohshëm të Thaçit arsyetohet me Nenin 41(6)(b) të Ligjit.

Ky nen i lartëcekur përfshin rrezikun nga arratisja, rrezikun nga shkatërrimi, fshehja, ndryshimi ose falsifikimi i provave, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

Po ashtu ZPS-ja është ankuar se si organ i akuzës nuk kanë burime për t’i mbikëqyrur ish-krerët e UÇK-së nëse ata do të liroheshin përkohësisht.

Ndryshe ditë më parë është refuzuar edhe kërkesa e Kadri Veselit për lirim të parakohshëm.

Kujtojmë se ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në Gjykatë Speciale në Hagë, më 24 shtator të vitit të kaluar.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-