Trainkos reagon pas lëndimit të pasagjerës nga goditja e trenit me gur: Ndaloni vandalizmin

Opoja.net Opoja.net Kosova

Kompani hekurudhore Trainkos, ka reaguar pas incidentit ku një pasagjere në trenin Prishtinë Pejë është goditur me gurë. Trainkos e ka quajtur incidentin akt “të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm” që përbënë kërcënim serioz për jetën e udhëtarëve.

Trainkos njofton se pasagjerja ka marrë ndihmën e parë mjekësore në vendin e ngjarjes dhe më pas është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas.

Reagimi i plotë:

APEL URGJENT PUBLIK

NDALO MENJËHERË! Hedhja e gurëve ndaj trenave RREZIKON JETË!

Trainkos shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për incidentin e ndodhur më 3 maj 2025 në afërsi të fshatit Grabovc, ku një pasagjere 26-vjeçare u lëndua në kokë si pasojë e goditjes me gurë nga jashtë trenit në lëvizje.

Ky akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit tonë, si dhe për integritetin e shërbimeve tona hekurudhore.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga mjekët emergjentë, duke u transferuar më pas për trajtim të mëtejshëm në QKMF në Drenas.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të implikuarve në këtë incident.

Trainkos dënon fuqishëm çdo akt dhune dhe vandalizmi ndaj trenave dhe pasagjerëve tanë.

Siguria e udhëtarëve dhe e stafit është prioriteti ynë kryesor, dhe ne jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet për të siguruar që autorët e këtij akti të vihen përpara drejtësisë.

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo veprim të dyshimtë apo të rrezikshëm në afërsi të linjave hekurudhore.

Bashkëpunimi i komunitetit është thelbësor për të parandaluar incidente të tilla dhe për të ruajtur sigurinë e transportit publik.

Trainkos mbetet i përkushtuar për të ofruar shërbime të sigurta dhe të besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Thirrje për ndalimin e akteve të rrezikshme dhe vandalizmit ndaj trenave

Trainkos bën thirrje publike dhe të fuqishme për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla të rrezikshme si hedhja e gurëve apo çfarëdo objekti tjetër në drejtim të trenave në lëvizje.

Këto veprime nuk janë vetëm të papërgjegjshme dhe të paligjshme, por përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pasagjerëve, stafit hekurudhor dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë shërbim publik.

Ne u bëjmë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla. Vandalizmi ndaj trenave nuk është lojë — është krim që mund të marrë jetë njerëzish.

Gjithashtu, ftojmë çdo qytetar që sheh ose ka dijeni për persona që kryejnë këso aktesh, të lajmërojnë menjëherë organet kompetente ose Trainkos-in, në mënyrë që të ndërhyhet sa më shpejt dhe të parandalohet ndonjë tragjedi e mundshme.

Siguria është përgjegjësi e të gjithëve. Le të bashkohemi për ta mbrojtur atë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-