Opoja.net

Viti 2020, vit pandemik

Viti 2020, vit pandemik

COVID-19 – COrona VIrus Disease 2019– u shfaq për herë të parë në Wuhan të Kinës në fund të vitit 2019, e më pas përfshiu çdo shtet në botë.

Pandemia në Kosovë

Në Kosovë rastet e para u paraqitën më 13 mars 2020, gjë të cilën e bëri publike ish-ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia pat njoftuar se në këtë ditë, dy persona rezultuan pozitiv pas testimit për koronavirus.

Rasti i parë ishte një 20 vjeçare me nënshtetësi italiane dhe një 77 vjeçar me nënshtetësi kosovare.

Pasi 10 persona rezultuan pozitiv,ministri i atëhershëm Vitia kërkoi nga Qeveria që të shpallet e gjendja publike emergjente shëndetësore në vend, me ç’rast Kosova hyri në karantinë.

Deri më 1 prill u konfirmuan 125 raste, ndërsa viktima e parë u regjistrua më 4 prill i cili ishte banor i Mitrovicës Veriore i nacionalitetit serb.

Pastaj më 6 prill u shënuan edhe dy vdekjet e radhës, një nga Prishtina dhe një nga Prizreni.

Deri më 30 prill 806 persona rezultuan pozitiv, 271 të tjerë u shëruan dhe 22 persona vdiqën.

Maji u përmbyll me 30 të vdekur, 1.083 raste dhe 843 të shëruar.

Ndërsa në qershor, koronavirusi në Kosovë lulëzoi. Gjatë këtij muaji për pak u trefishua numri i rasteve. Gjatë 30 ditëve të qershorit numri i rasteve u ngrit në 2.878, ndërsa numri i të vdekurve në 51

Rezultat të njëjtë solli edhe muaji korrik. Madje, sa i përket numrit të të vdekurve ky muaj ngriti gati pesëfish këtë numër. Nga 51 të vdekur që ishin deri më 30 qershor, më 31 korrik ky numër u ngrit në 227.

Deri më 31 gusht në Kosovë humbën jetën 525 persona, ndërsa numri i të infektuarve kaloi 13 mijëshin.

Ndërsa gjatë muajit shtator 100 persona humbën jetën si pasojë e infektimit me COVID-19, kështu numri u ngrit në 625. Numri i rasteve pozitive arriti në 15.620 ndërsa raste aktive ishin mbi një mijë.

Mbi katër mijë raste të reja dhe 56 vdekje u regjistruan gjatë muajit tetor. Kështu rastet aktive u ngritën në 3 mijë e 641.

375 persona të infektuar me COVID- 19, mirëpo edhe me sëmundje tjera shoqëruese, humbën jetën vetëm gjatë nëntorit. Gjithashtu numri i rasteve pozitive deri më 30 nëntor arriti në 39.596.

Ndërsa gjatë muajit dhjetor u vërejt një rënie e rasteve pozitive, mirëpo jo edhe e vdekjeve. Gjatë këtij muaji humbën jetën 279 persona. Ndërsa prej fillimit të pandemisë pozitiv rezultuan 51.328 persona.

10 muajt pandemikë të 2020-ës përfunduan me këto statistika:
Testime: 183.513
Raste pozitive: 51.328
Vdekje: 1.335
Raste aktive: 8.586.
Të shëruar: 41.407

Karantina

Koronavirusi, Kosovën e gjeti me një sistem shëndetësor të mangët, pa një spital të veçantë për pacientët me COVID-19.

Mirëpo më 18 mars, Qeveria e Kosovës e kryesuar nga lideri i VV- së, Albin Kurti, mori vendim që Qendra e Studentëve në Prishtinë të shndërrohet në karantinë për të gjithë ata që ktheheshin nga vendet tjera.

Po atë ditë, ish- ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku njoftoi se 39 qytetarë janë kthyer në Kosovë dhe që të gjithë janë karantinuar në Qendrën e Studentëve.

Kjo qendër ka kapacitet për katër mijë persona.

Mirëpo situata konsiderohej e menaxhueshme, pasi raste nuk kishte shumë.

E karantina pati edhe efektet negative në psikologjinë e njerëzve. Gjatë kësaj kohe u rritën rastet e dhunës në familje.

Mirëpo rasti më i rëndë ishte vetëvrasja e një të riu në Qendrën e Studentëve.

Agon Musliu, 26 vjeçar, më 3 maj vendosi t’i japë fund jetës së tij. Ai u hodh nga kati i katërt i konviktit. Pas këtij raste u mobilizua qeveria dhe insitucionet përkatëse, mirëpo nuk pati asnjë dorëheqje, ndonëse Vitia deklaroi se e kishte menduar se opsion.

Pas gati dy muajsh në karantinë, Qeveria Kurti vendosi tri faza të lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Këto ishin fazat: faza e parë- 4 maj deri 18 maj; faza e dytë- 18 maj deri 2 qershor; faza e tretë: 2 qershor deri në vendimin e radhës.

Edhe pas lehtësimit të masave, situata konsiderohej e menaxhueshme.

Më 20 shtator, ministri Zemaj deklaroi se “për pak ditë bëhet gati Spitali COVID-19”. Mirëpo kanë kaluar më shumë se tre muaj, e ky premtim nga ministri nuk është përmbushur.

Mirëpo me kalimin e kohës rastet rriteshin dhe spitalet rajonale u stërmbushën me pacientë. E edhe në këtë situatë

Qeveria Hoti vetëlavdërohej për ballafaqimin me COVID- 19.

Pandemia në botë

Pas paraqitjes së parë në Kinë, koronavirusi për një kohë të shkurtër përfshiu të gjitha kontinentet, duke infektuar shumë njerëz e duke i marrë edhe jetën.

Deri më tani në gjithë botën, pa përfshirë Kosovën, janë infektuar 83,329,785 persona.

Ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 1,817,345.

Vendi me më së shumti raste janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas SHBA- ve vjen India, Brazili, Rusia etj./FaktePlus/

Afër kampit “Bondsteel” në Ferizaj do të ndërtohet shtatorja e Presidentit Biden

Opoja.net

Pse autostradat e Kosovës janë pa pagesë?

Opoja.net

Mërgimtarët kthehen në shtetet ku jetojnë, kolona vetëm në Merdare

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net