Komunën e Dragashit e vizitoi Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, znj.Caroline Ziadeh, e cila ishte e shoqëruar edhe nga përfaqësues nga Zyra e UNMIK-ut në Pejë dhe përfaqësues të shoqatës partnere “Advancing Together”. Ata u pritën nga kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, nënkryetarin e Komunës nga radhët e komuniteteve, z.Fejsal Halilović, drejtorin e Shëndetësisë, z.Behar Brenoli, shefin e Zyrës për Komunitete, z.Uzair Hamza, si dhe zyrtaren për Barazi Gjinore, znj.Lindita Kozmaqi Piraj.
Temë qendrore e diskutimit gjatë takimit në zyrën e kryetarit ishte bashkëpunimi i ndërsjellë dhe mbështeja e ofruar nga UNMIK-u, veçanërisht në zbatimin e projekteve, siç janë Papa Testi dhe përmirësimi i shërbimeve denfare në QKMF.
Kryetari Xheladini është shprehur mirënjohës dhe ka falënderuar znj.Caroline Ziadeh dhe bashkëpunëtorët tjerë për bashkëpunimin, duke theksuar se mbështetja e tyre ndaj Komunës së Dragashit është një tregues i partneritetit të vazhdueshëm.
Gjatë takimit, Kryetari Xheladini e informoi gjerësisht znj.Caroline Ziadeh lidhur me politikat e Komunës së Dragashit për avancimin e të drejtave të komuniteteve, siç janë respektimi i dygjuhësisë dhe ndarja e mjeteve në proporcion me përqindjen e popullsisë. Ai gjithashtu përmendi edhe avancimin e të drejtave gjinore në Komunën tonë, duke vënë theksin në zgjedhjen apo emërimin e katër grave në pozita udhëheqëse, si kryesuesja e Kuvendit, drejtoresha e DKRS-së, drejtoresha e çerdhes dhe zëvendësdrejtoresha e QKMF-së. Pastaj, ofrimin e shërbimeve falas për qyetarët tanë, por edhe për qytetarët e Shqipërisë, si dhe ofrimin e shërbimeve dentare për personat me nevoja të veçanta (ndërtimi i ordinancës stomatologjike në katin e parë të QKMF-së).
Kryetari Xheladini njoftoi edhe për sigurimin e transportit pa pagesë, tash e dy vite, për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe shkollës së mesme, i cili ka ndikuar edhe në lehtësimin e barrës financiare për prindërit, parandalimin e ikjes së nxënësve në Prizren, si dhe sigurinë e tyre në komunikacion.
Në pyetjen e z.Caroline se ku po i merrni mjetet për sigurimin e shërbimeve pa pagesë, Kryetari Xheladini u përgjigj se të gjitha mjetet vijnë nga kursimi i tyre nga shpenzimet e panevojshme.
Gjithashtu, ai shtoi se për gati katër vite të qeverisjes në Komunën tonë nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për ndonjë rast korrupsioni apo keqpërdorimi të detyrës zyrtare; buxheti për investime kapitale është i realizuar në vlerë prej 98%; Raporti i Auditorit çdo vit është i pamodifikuar; si dhe Komuna jonë për herë të tretë është përfituese e Grantit të Performancës dhe presim që të jemi fitues edhe në vitin e katërt të qeverisjes.
Edhe përfaqësuesit e tjerë komunalë patën rastin që ta informojnë znj.Caroline Ziadeh për angazhimin e tyre dhe zbatimin e politikave në fushat përkatëse.
Në anën tjetër, përfaqësuesja nga Misioni Kombeve të Bashkuara ka falënderuar për mikpritjen përfaqësuesit e Komunës së Dragashit, si dhe ka shprehur interesimin e saj për të thelluar më tutje bashkëpunimin me Komunën e Dragashit.
Kryetari Xheladini ndau edhe disa dhurata dhe mirënjohje në shenjë respekti për bashkëpunimim e shkëlqyer me përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe bashkëpunëtorët tjerë.
Pas takimit në Zyrën e Kryetarit, u vizitua edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Dragash, ku u pa nga afër edhe puna e stafit shëndetësor në këtë institucion, me theks të veçantë në kryerjen e shërbimeve dentare dhe atyre të Papa Testit, si pjesë e projektit të përbashkët.
/OPOJAnet/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.