Zoti ynë thotë në Kuranin famëlartë: “Ne Kuranin e bëmë të lehtë për mësim, po a është ndokush që merr mësim?”(Kamer: 17)
Sado i mirë të jetë njeriu, sado besimtar qoftë ai, Allahu (xh.sh.), e di se njeriu është i dobët. Zemra e tij ka nevojë për forcë, për fakte, për argumente dhe për shembuj. Prandaj Zoti nuk la asnjë profet pa mrekulli.
Dikujt i dha shkopin, që gëlltiste gjithçka. Dikujt i dha devenë, që ushqente një fshat të tërë me qumësht. Dikujt i dha shërimin e sëmundjeve të pashërueshme. Ndërsa Profetin (a.s.), e pyetën: “Çfarë të ka dhënë Zoti ty?” Profeti (a.s.), u përgjigj: “Ajo që më ka dhënë mua Allahu (xh.sh.), është shpallje, është fjalë”.[1]
Fjala është mrekullia më e madhe dhe më e fuqishme. Ajo nuk mbaron në asnjë kohë apo vend. Shkopi mbaroi me profetin që e kishte, deveja u largua me largimin e profetit që e kishte këtë mrekulli, shërimi largohet me largimin e shëruesit, por fjala do të mbetet gjithmonë, për aq kohë sa do të flasin njerëzit. Prandaj Kurani ishte mrekullia e njeriut, e cila nuk do të përfundojë kurrë.
Kjo është mrekullia jonë, mrekullia e çdo myslimani, mrekullia e çdo njeriu që ka dëshirë të shikojë mrekulli me sy. Ai ështëKURANI, i cili është fjala e Zotit dhe fjalën mund ta thotë edhe i vogli edhe i madhi. Fjala e merr peshën nga ai që e flet atë. A mund të ketë fjala peshë më të madhe, sesa kur e flet Allahu (xh.sh.)?” Kurani është fjalë, por nuk është fjalë njerëzish, fjalë mendjelehtësh, fjalë shkencëtarësh apo filozofësh, por është fjalë e Zotit të gjithësisë, fjalë e Krijuesit, prandaj pesha e tij nuk krahasohet me asnjë fjalë tjetër, prandaj edhe vlera e tij nuk matet me vlerën e asnjë fjale tjetër.
Ky Kuran ishte ai që i bashkoi arabët, të cilët ishin të përçarë si mos më keq. Ata kishin qindra vite që luftonin për pretekste të kota, por Kurani i bashkoi ata.
Kurani zbuti zemrat e këtyre njerëzve, që tashmë ishin ngurtësuar. Kurani lartësoi moralin e këtyre njerëzve, që askush nuk i njihte në botë. Ky Kuran i shndërroi këta njerëz nga barinj delesh dhe devesh, në barinj të gjithë njerëzimit. Kjo është fjala që ka pasur, ka dhe do të ketë peshë sa herë që do ta respektojnë njerëzit. Arabët ishin njerëz të thjeshtë, por kur u përballen me të vërtetën, u treguan njerëz të natyrshëm, u treguan burra dhe e pritën atë me zemra të hapura.
Ne dhe të gjithë myslimanët e botës e lexojmë Kuranin, por vallahi ka mbetur fjalë, që nuk futet në zemër, por hyn në një vesh dhe del nga veshi tjetër. Akoma nuk i kemi hapur zemrat për këtë Kuran. Vallahi, po t’i hapnim zemrat ndaj Kuranit siç i hapën të parët tanë, do të ishim shumë më lart se ç’jemi sot.
Ky Kuran preku zemrat e njerëzve të mirë dhe njerëzve të ligj. Dikush i shkoi Profetit (a.s.) dhe u përpoq me të gjitha mënyrat, që ta largonte nga rruga e drejtë. Pasi tha atë që kishte për të thënë, Profeti (a.s.), ia ktheu: “Unë kam vetëm dy fjalë, ato janë ajetet e Kuranit. Dëgjoji ato dhe vendos vetë pastaj”. Kur ky njeri dëgjoi fjalën e Allahut (xh.sh.), u kthye kokulur tek njerëzit e tij dhe u tha: “Mos më çoni herë tjetër për ta rrëzuar poshtë Kuranin. Vallahi, ai është një libër i ëmbël. Ato fjalë nuk kanë të krahasuar. Vallahi, ai libër do të jetë gjithmonë i lartë dhe kurrë nuk do të rrëzohet”.[2]
Disa njerëz shkuan në Mekë, por vendosën pambuk në veshët e tyre, që të mos e dëgjonin Kuranin. Ndërsa Kurani nuk pyeti për pambukun që ata kishin vendosur në veshët e tyre, por hyri drejt e në zemrat e tyre.
Ky Kuran drejtoi zemrën e Umer Ibn Hattabit (r.a.), i cili ishte nisur të vriste Profetin (a.s.), por kur dëgjoi Kuranin, u shkri ashtu siç shkrihet bora nga dielli.
Kurani i habiti edhe xhindet, të cilët hipën në shpinën e njëri – tjetrit për ta dëgjuar atë nga goja e Profetit (a.s.). Pastaj shkuan dhe u thanë shokëve të tyre: “Kemi dëgjuar një Kuran që mahnit, prandaj besoni se ne kemi besuar tek ai”. Allahu (xh.sh.), thotë për këtë Kuran: “Sikur Ne ta zbrisnim këtë Kuran mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu…”. (Hashr, 21) Pra, nëse Kurani do të zbriste mbi mal, ai do të bëhej shkrumb e hi. Vallë, ç’bëhet me zemrat tona? A thua janë bërë më të ngurta se malet? Si ka mundësi që nuk preken zemrat tona nga fjalët e Krijuesit, nga Kurani?
Dua të flas për vlerën e leximit të Kuranit, sepse mendoj se jemi larg tij. Ka kohë që nuk e kemi lexuar. Ndoshta kur flasim për leximin e Kuranit, na vjen nëpër mend Ramazani i kaluar. Ka kohë që nuk kemi ndenjur me Kuranin, ka kohë që nuk kemi punuar me të. Prandaj le t’ia kujtojmë vetes sonë këtë gjë. Me çfarë tjetër duhet ta përkujtojmë veten, nëse nuk e përkujtojmë njëri – tjetrin me leximin e Kuranit?!
Ky Kuran të jep aromë besimtari dhe nëse ti nuk e lexon, ta heq aromën. Profeti (a.s,), ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kuran, është si shembulli i portokallit. Shijen e ka të mirë edhe erën e ka të mirë. Shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin, është si shembulli i hurmës. Ajo shijen e ka të mirë, por nuk ka erë. Ndërsa munafiku që lexon Kuran është si shembulli i borzilokut. Erën e ka të mirë, por shijen e ka të keqe. Kurse munafiku që nuk lexon Kuran, është si puna e kungullit të egër. Erën e ka të keqe edhe shijen e ka të keqe”.[3]
Besimtari që nuk lexon Kuran nuk ka erë, sepse nga ai nuk del aroma e ajeteve të Kuranit, që janë si trëndafila. Prandaj le t’i japim aromë zemrave dhe gjuhëve tona. Le ta lexojmë Kuranin. Le të dalë aroma e fjalëve, që janë fjalët më të mira që mund t’i thotë çdokush.
Kurani është shpëtimtari dhe zgjidhja e enigmës, sipas deklaratës së Profetit (a.s.), i cili një ditë i tha Aliut (r.a.), dhëndrrit të tij: “Pas meje do të ketë shumë probleme dhe trazira”. Aliu (r.a.), e pyeti: “O Profet i Zotit, cila është rrugëdalja prej trazirave?” Profeti (a.s.), u përgjigj: “Libri i Zotit është rrugëdalja prej trazirave. Në Kuran është njoftimi i atyre që ishin përpara jush dhe atyre që do të jenë pas jush. Ai është gjykatësi, që gjithmonë gjykon drejt. Allahu do ta copëtojë çdo tiran, që e braktis Kuranin. Këdo që kërkon ndihmë dhe udhëzim përveç Kuranit, Allahu (xh.sh.), do ta humbë. Kurani është litari i fortë, kujtuesi i urtë, është rruga e drejtë, që kurrë nuk do të humbasë. Gjuha nuk lodhet me leximin e tij. Nga leximi i tij nuk ngopen dijetarët, zemra nuk mërzitet asnjëherë nga përmendja e tij. Mrekullitë e tij nuk mbarojnë kurrë. Kush flet me të, ka folur drejt, kush gjykon me të, ka gjykuar drejt, kush fton për tek ai, ka ftuar për tek e drejta dhe është gjithmonë i drejtuar”.[4]
Këto janë përshkrimet e Profetit (a.s.), për Kuranin. Kjo është zgjidhja dhe rrugëdalja nga streset dhe problemet që kemi në zemrat tona. Vallahi, sikur ta bënim mik Kuranin, do të ishim shumë më të qetë, sepse Kurani është shpirt për zemrën e njeriut dhe nuk ka ushqim tjetër për zemrën përveç Kuranit. Shpirti është prej Zotit dhe ushqimi për të, është përsëri prej Zotit.
E pranojmë të gjithë që sot jemi shumë larg me Kuranin, prandaj nuk e ndjejmë besimin në zemrat tona, nuk e ndjejmë as namazin që falim. Dëgjoni se ç’thotë Profeti (a.s.): “Do të vijë një kohë, që Kurani do të vjetërohet në zemrat e disa njerëzve, siç vjetrohet rroba, derisa në fund njeriu ta hedhë atë, sepse nuk ka dobi prej saj. Ata njerëz që do ta lenë Kuranin edhe kur ta lexojnë nuk do t’ia ndjejnë shijen atij leximi. Ata njerëz do t’i godasë Allahu (xh.sh.), me një sëmundje. Do ta lënë punën e sotme për nesër dhe të nesërmen do të thonë se ka kohë për ta bërë atë punë edhe pasnesër. Ata njerëz do të bëjnë gjynahe dhe do të thonë, se i fal Zoti i gjithësisë”.[5]
Mesazhi im për veten time dhe për të gjithë ju është: “Le të afrohemi me Kuranin. T’i forcojmë lidhjet tona me librin e Allahut (xh.sh.)”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.