Votat e diasporës, KQZ: Mbi 15 mijë pako janë aprovuar – 2,400 të tjera janë refuzuar

Opoja.net Opoja.net Diaspora
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Telegrafin se deri të mërkurën në orën 16:00, janë vlerësuar mbi 18,000 pako të votimit përmes postës nga jashtë Kosovës, në kuadër të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvendet Komunale.

Sipas Elezit, më shumë se 15,600 nga këto pako janë aprovuar, ndërsa rreth 2,400 janë refuzuar.

“Shkaku kryesor i refuzimit të pakove, konkretisht në 2,358 raste, është mungesa e dëftesës së regjistrimit një dokument unik që votuesi i regjistruar duhet ta paraqesë bashkë me fletëvotimin”, sqaroi ai.

Ai tha se procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime është përmbyllur të martën, nga gjithsej 23 kuti postare të vendosura në 22 shtete dhe në Kosovë, prej nga janë mbledhur gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime.

Aktualisht, këto pako po vlerësohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Ndërkohë, Elezi njoftoi se në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) është duke vazhduar dita e tretë e aktiviteteve pas zgjedhjeve.

Deri në orën 16:00, janë verifikuar rezultatet për 1,133 vendvotime për Kryetarë të Komunave dhe për 1,084 vendvotime për subjektet politike që garuan për Kuvendet Komunale. Po ashtu, janë numëruar votat e kandidatëve për anëtarë të kuvendeve nga 1,084 vendvotime.

“Deri më tani, procesi në QKN është përmbyllur në nëntë komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime dhe Klinë. Kësaj liste pritet t’i shtohen edhe disa komuna deri në fund të ditës”, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së.

Të dhënat e përditësuara po publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së për rezultate: rezultatet për Kryetarë të Komunave, rezultatet për subjektet politike për Kuvendet Komunale dhe votat e kandidatëve për Kuvendet Komunale

Sipas Elezit, në QNR ka nisur edhe procesi i skanimit të listës së votuesve nga vendvotimet e rregullta, një hap teknik i domosdoshëm që i paraprin numërimit të votave me kusht.

“Ky skanim është i rëndësishëm për të garantuar integritetin e votës, duke siguruar që asnjë votues të mos ketë votuar dy herë – njëherë në vendvotim të rregullt dhe njëherë me kusht”, theksoi ai.

Nga 54 vendvotime për votimin me kusht në 38 komuna, janë regjistruar 2,119 zarfe me fletëvotime.

Ndërsa në programin për votuesit me nevoja të veçanta, janë regjistruar 3,467 votues që kanë shfrytëzuar shërbimin përmes ekipeve mobile.

“Në përfundim të procesit të vlerësimit të votave nga jashtë, do të publikojmë numrin final të pakove që do të kalojnë për në numërim”, përfundoi zëdhënësi i KQZ-së për Telegrafin.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-