Zgjedhjet lokale/ Asnjë grua e kandiduar për kryetare deri tani

Opoja.net Opoja.net Kosova

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, e partitë politike kanë filluar që t’i bëjnë publike emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave.

Deri më tani, të gjithë kandidatët e nominuar për kryetarë të komunave janë meshkuj edhe pse nga partitë politike janë zotuar se do t’iu japin hapësirë edhe grave.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i pyetur se a do t’iu jap hapësirë PDK-ja grave në zgjedhjet komunale, ka thënë se partia e tij duhet të reflektoj në këtë drejtim ngase gratë kanë përfaqësim shumë të mirë në ato vende ku udhëheqin.

“ Kam biseduar me disa kryetarë të degëve të PDK-së dhe se ne do të kemi kandidate për kryetare komunash që do të jena gra, zonja apo zonjusha të cilat do të jenë imazh i ri për qytetin dhe për PDK-në, por për mua është një fat i madh ta shoh se si pesha e gruas në jetën tonë politike po rritet çdo ditë. Unë dua të them se aty ku kanë udhëheq gratë dhe po udhëheqin puna është më e mirë e mundshme, përfaqësimi është më i miri kështu që ne do të kemi kandidate në partinë tonë”, tha Hoxhaj.

E, deputeti Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje në një përgjigjeje për Front Online ka thënë se femrat dhe meshkujt janë të barabartë, por hapësira që u ipet atyre varet edhe nga mbështetja që ata/ato marrin nëpër këshille.

“Varësisht prej kandidaturave janë të barabartë femrat dhe meshkujt , janë procedura që nuk varen prej neve po prej kandidaturave për mbështetjen që e marrin në këshille “, tha Rrahmani.

Edhe në LDK, po thonë se përfaqësimi i grave në zgjedhjet lokale dhe kanididaturat e tyre janë të domosdoshme.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha për Front Online, se është e detyrueshme që LDK-ja të ketë kandidate femra.

“Është e dëshirueshme me pasë edhe kandidate femra, por nëse nuk ka dhe nuk zgjidhen atëherë me çfarë ka qëllu duhet, por është e detyrueshme me pasë kandidate femra dhe atë sa më shumë”, tha Muhaxheri për Front Online.

Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së, tregoi për Front Online se kjo parti është më e avancuara se partitë e tjera sa i përket gjinisë femërore në politikbërje.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sa i përket përfshirjes së gjinisë femërore në vendimmarrje dhe politikbërje brenda partisë, është shumë më e avancuar se partitë e tjera. Dy degë të Aleancës udhëhiqen nga kryetare (Podujevë dhe Kaçanik), në Suharekë kemi një nënkryetare të komunës, e është mjaft i madh numri i drejtorive që udhëhiqen nga femrat. Në Këshillin Drejtues të partisë, rreth 40% të anëtarëve janë femra, të cilat janë zgjedhur nga Kuvendi, pa pasur nevojë për të plotësuar kuotën gjinore që e kemi të paraparë me Statut të partisë. Nuk pretendojmë të themi që është i mjaftueshëm ky përfaqësim, por është tregues se gratë kanë hapësirë vepruese të mjaftueshme në Aleancë. Ndërkohë që përfaqësimi i tyre sa më legjitim do të arrihet përmes Aleancës së Gruas, organizatë kjo e cila do të rikthehet, pas veprimit disa vjeçar si departament”, tha Blaka për Front Online.

Ndërsa i pyetur se sa do të jetë numri i gjinisë femërore në këto zgjedhje lokale zëdhënësi i AAK-së tregoi se numri i tyre varet prej vendimeve që merren nga degët e partisë

“Ne inkurajojmë që sa më shumë gra të kandidojnë për kuvendet komunale dhe për pozitën e kryetarit të komunës, por se sa do të jetë numri i tyre, varet prej vendimeve që merren nga degët e partisë”, shtoi ai për Front Online.

Në zgjedhjet komunale të vitit 2017-të, vetëm 8 gra kanë qenë kandidate për kryetare të komunave ndërsa 196 kanë qenë meshkuj./Front Online/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-