Opoja.net

Ekuilibri i frikës dhe shpresës në suren fatiha

Libri hyjnor, Kurani Fisnik, është indeksi i gjithësisë dhe udhëzuesi i rrugës së drejtë të të gjithë ekzistencës. Për rrjedhojë, Kurani Fisnik është receta dhe udhërrëfyesi i vetëm për njerëzimin. Suret e Kuranit Fisnik dhe çdo ajet që gjendet në ato sure, madje çdo fjalë, është vendosur e radhitur në bazë të një urtësie. Kështu që nuk është rastësi që surja Fatiha, është bërë surja e parë e Kuranit Fisnik.

Surja Fatiha, ka një përmbajtje të tillë, saqë për nga kuptimi u jep besimtarëve përmbledhjen e të gjithë Kuranit Fisnik. Në të njëjtën kohë, ajo na jep një portret të qartë të koncepteve “frikë” dhe “shpresë”. Kjo është edhe gjendja shpirtërore që duhet të gjendet tek një besimtar i devotshëm.

Fatihaja ka kuptimin e thellë të hapësit të zemrave, çliruesit të vërtetë. Ajo është parafjala më e bukur dhe më e përsosur. Ajo është si një përmbledhje e Kuranit dhe një poemë hyrëse që e përgatit besimtarin për një udhëtim të gjatë.

“Falënderimi i takon Zotit të botëve!” Të jesh një rob që qëndron në çdo kijam për të falënderuar ndaj të gjitha mirësive të Zotit tonë dhe ta madhërosh Atë është një veprim që mund ta bëjë vetëm një besimtar me gjendje shpirtërore të lartë. Një besimtar që posedon vetëdijen e mirënjohjes, do të thotë se ai ka arritur në një pikë të caktuar të pjekurisë së besimit. Kjo, sepse Allahu i Madhëruar, në ajete të ndryshme shprehet se njeriu është një krijesë që falënderon shumë pak. Për rrjedhojë, vetëdija e mirënjohjes dhe e falënderimit, është një nivel i kënaqshëm për besimtarin. Ja pra, këtë na mëson edhe surja Fatiha, në një aspekt të saj.

“Ai është Rrahman dhe Rrahim / i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë.” Ky ajet fisnik është shprehje e shpresës. Ky ajet shpreh mëshirën e Allahut të Madhëruar ndaj të gjitha krijesave në këtë botë dhe mëshirën e butësinë e Tij në botën tjetër, për ata që i kanë besuar. Duke njohur cilësitë Rrahman dhe Rrahim të Zotit të tij, besimtari duhet të ketë gjithmonë shpresën se do të takohet me mirësinë e faljes dhe mëshirës së Tij, sepse mëshira e Zotit tonë, është më e madhe sesa zemërimi i Tij. Nëse mëshira e Tij nuk do ta mbizotëronte zemërimin e Tij, bota dhe gjithçka ka në të do të ishin zhdukur për shkak të gjithë këtyre gjynaheve që bëhen mbi të.

Allahu është gjithmonë i mëshirshëm dhe i butë ndaj robërve të Tij. Kjo është theksuar shpesh si në ajetet e Kuranit fisnik, ashtu edhe në hadithet e Profetit (a.s.). Për këtë arsye, besimtari që tregon nënshtrim me falënderim dhe mirënjohje, do të jetë i vetëdijshëm ndaj mëshirës së pakufishme të Allahut dhe do të bartë shpresën për t’u zhytur në mëshirën e Tij.

“Ai është sunduesi i Ditës së Gjykimit.” Ky ajet fisnik, shpreh frikën dhe dorëzimin. Të gjithë ata që janë të lirë në punët e jetës së kësaj bote, veprojnë sipas dëshirës. Mirëpo, afati kohor i jetës që Allahu i ka dhënë njeriut, do të mbarojë dhe kthimi do të jetë tek Ai. Pra, në bazë të ligjit hyjnor, të gjithë njerëzit dhe krijesat e tjera do të kthehen përsëri tek Ai ashtu siç kanë ardhur në fillim prej Tij. Ja pra, në Ditën e Gjykimit, ku njeriu do të heshtë e do të flasin veprat dhe ato që kanë bërë dora, këmba, syri dhe veshi i tij, autoriteti i vetëm do të jetë Allahu i Madhëruar.

Padyshim se frika që do t’u japë njerëzve ajo Ditë dhe tmerri që do të ndjejë njeriu, është një gjendje shpirtërore e papërshkrueshme. Ajo është Dita kur njeriut do t’i thuhet: “Lexoje librin tënd. Sot të mjafton dëshmia jote kundër vetes”. Atë ditë, fjala dhe sundimi do të jenë vetëm të Allahut. Ajo është Dita e tmerrit kur njeriut do t’i dalin sytë prej vendit, ku do të humben shpresat dhe do të kërkohen ndërmjetësit. Dita kur nëna do të ikë prej fëmijës, njeriu prej të afërmve dhe kur të gjithë do të kenë vetëm hallin e vet.

Mënyra e strehimit tek Allahu për t’u ruajtur prej dënimit të kësaj dite të tmerrshme, është adhurimi i Tij dhe kërkimi i ndihmës prej Tij. Dhe kjo e çon besimtarin në ndjenjat e frikës dhe të shpresës. Adhurimi shpreh shpresën, ndërsa strehimi tek Ai, shpreh frikën.

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”: Duke e shqiptuar këtë ajet, robi pohon dobësinë e vet. Besimtari që ndodhet midis kësaj frike dhe shprese, në ajetin në vijim, i shpreh Zotit dëshirën për t’u udhëzuar, sepse ai tashmë e ka arritur vetëdijen e devotshmërisë, që është baza e kësaj dëshire. Lutja për udhëzimin në rrugën e drejtë, është dëshira e robit. Ajo rrugë e drejtë, është rruga e profetëve, njerëzve të mirë dhe besnikë. Ajo rrugë e drejtë, është rruga e Profetit tonë të dashur (a.s.). Ajo është rruga që do ta çojë besimtarin në botën tjetër në mënyrën më të bukur dhe do ta nxjerrë atë me fytyrë të bardhë para Zoti të vet.

Ndërkohë që besimtari kërkon prej Zotit të jetë i udhëzuar në rrugën e drejtë, nga ana tjetër, me ndjenjën e frikës, strehohet tek Zoti duke iu lutur, të mos e lërë në rrugën e atyre që kanë humbur dhe kanë devijuar dhe e cila të çon në Xhehenem. Kjo është ndjenja e frikës. Është dëshira për mbrojtje nga Allahu dhe për të mos qenë bashkë me ata që kanë humbur në rrugën e devijuar.

Besimtari që shëtit çdo ditë, në çdo rekat të çdo namazi mes sures Fatiha, në fakt shkon e vjen mes valëve të frikës dhe të shpresës ndaj Zotit të tij.

Mos i humb

Myftiu i BIRK-së Mr. Naim Tërnava mbajti takim me imamët e KBI-së të Dragashit

Opoja.net

Askush nuk e di dhimbjen tënde sikurse Allahu

Opoja.net

A jeni gati, ja kur fillon Ramazani

Opoja.net

Tregim shumë i bukur me veprimin e këtij djaloshi

Opoja.net

Të jetosh sikur gjendesh ballë për ballë me Allahun

Opoja.net

Ndërkohë që kamera hyjnore është në xhirim…

Opoja.net

Operacionet plastike nga këndvështrimi islam

Opoja.net

Domethënia e Israsë dhe Miraxhit në kohën tonë

Opoja.net

E humba edhe një ditë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net