Allahu i Madhëruar thotë:
“Thuaj: O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash. Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde. Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.”
Të dashur fëmijë!
Allahu është i Plotfuqishmi (El Kadiru)
Allahu është i Fuqishmi (El Kauuiju)
Allahu është i Plotpushtetshmi (El Metinu)
Fakte dhe dëshmi nga Kurani dhe fjalët e Profetit (a.s) që dëshmojnë se Allahu është i Plotfuqishëm:
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Ne e krijuam njeriun (Ademin) nga balta. Pas kësaj Ne e krijuam atë (pasardhësit e Ademit) nga një pikë uji duke e strehuar atë në një banesë të sigurtë (mitra e nënës).Pastaj pikën e ujit e bëmë një gjak të mpiksur, pastaj atë e bëmë në një copë mishi (si të përtypur), pas kësaj atë e shndërruam në eshtra, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj atë e bëmë krijesë tjetër. I Lartë është Allahu, më i miri Krijuesve.”
Allahu i Madhëruar thotë:
“O ju njerëz, ja një shembull, veni veshin pra: Vërtet ata që po adhuroni në vend të Alalhut, ata nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse mblidhen të gjithë për të, e po ashtu nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi edhe i luturi.”
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë:
“Qielli i parë në krahasim me qiellin e dytë është sa një unazë e hedhur në shkretëtirë. Qielli i dytë në krahasim me të tretin është sa një unazë e hedhur në shkretëtirë. Qielli i tretë në krahasim me të katërtin është sa një unazë e hedhur në shkretëtirë. Qielli i katërt në krahasim me të pestin është sa një unazë e hedhur në shkretëtirë. Qielli i pestë në krahasim me të gjashtin është sa një unazë e hedhur në shkretëtirë. Qielli i gjashtë në krahasim me të shtatin është sa një unazë e hedhur në shkretëtirë. Qielli i shtatë në krahasim me arshin është sa një unazë e hedhur në shkretëtirë.”
Të dashur fëmijë!
Allahu me fuqinë e Tij i ka krijuar të gjithë krijesat.
Allahu me fuqinë e Tij i ka krijuar qiejtë dhe Tokën për gjashtë ditë dhe nuk është lodhur aspak.
Allahu më fuqinë e Tij kur i thotë diçkaje: “Bëhu” ajo bëhet menjëherë.
Allahu me fuqinë e Tij e jep jetën dhe e merr atë.
Allahu me fuqinë e Tij do t’I ringjallë të gjithë njerëzit në Ditën e Kijametit
Allahu me fuqinë e Tij do t’i shpërblejë punëmirët
Allahu me fuqinë e Tij do t’i ndëshkojë punëkeqët.
Allahu me fuqinë e Tij ka krijuar Xhenetin dhe Xhehenemin.
Allahu nuk ka nevojë për askënd, kurse krijesat kanë nevojë për Allahun.
Le të mendojmë së bashku!
Fëmijë të dashur?
A e keni parë se sa i madh është qielli e së në të ka me miljarda ose më tepër yje. Nuk ka dyshim se ky është krijimi i Allahut të Plotfuqishmit të Gjithëpushtetshmit.
A e keni parë se Dielli me rrezet e tij të arta ngroh gjithë rruzullin e Tokës. Nuk ka dyshim se ky është krijimi i Allahut të Plotfuqishmit të Gjithëpushtetshmit.
A e keni parë se Hëna në fillim të muajit është në formën e draprit, pastaj zmadhohet derisa bëhet e plotë në mes të muajit dhe pastaj fillon të zvogëlohet. Nuk ka dyshim se ky është krijimi i Allahut të Plotfuqishmit të Gjithëpushtetshmit.
A e keni parë se nga një farë që hidhet në tokë mbijnë bimët e shumëllojshme. Ky është krijimi i Allahut Të Plotfuqishmit të Gjithëpushtetshmit.
A e keni parë se si uji në formën e avujve ngrihet lart në qiell, e më pas formohen retë dhe më pas nga retë zbret shiu. Ky është krijimi i Allahut të Plotfuqishmit të Gjithëpushtetshmit.
Në testin e besimit Selma mori notën 10 në testin e besimit. Ja se si është përgjigjur ajo pyetjes:
Trego 10 shembuj që tregojnë për madhështinë dhe fuqinë e Allahut në krijim:
1 – Krijimi i shtatë qiejve tregon për madhështinë dhe fuqinë e Allahut.
2 – Krijimi i Tokës tregon për madhështinë dhe fuqinë e Allahut.
3 – Krijimi i njeriut në formën më të bukur tregon për madhështinë dhe fuqinë e Allahut.
4 – Dielli dhe Hëna tregojnë për madhështinë dhe fuqinë e Allahut.
5 – Zbritja e shiut tregon për madhështinë dhe fuqinë e Allahut
6 – Ndryshimi i natës dhe ditës tregon për madhështinë dhe fuqinë e Allahut.
7 – Furnizimi i gjallesave me ushqim dhe pije tregon për madhështinë dhe fuqinë e Allahut.
8 – Lundrimi i anijeve në lum, liqen, det e oqean tregon për madhështinë dhe fuqinë e Allahut.
9 – Plotësimi i nevojave të njeriut tregon për madhështinë dhe fuqinë e Allahut.
10 – Mirësitë e shumta të cilat është e vështirë të numërohen tregojnë për madhështinë dhe fuqinë e Allahut.
Abdullahu në xhami:
Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, ai dëgjoi imamin që po thoshte se Allahu i Madhëruar është Ai i Cili me fuqinë dhe forcën e Tij vepron gjithçka që Ai dëshiron. Allahu i Madhëruar është Ai i Cili me fuqinë dhe forcën e Tij i ka krijuar të gjithë krijesat dhe çdo gjë që e ka krijuar e ka krijuar në masë të caktuar. Allahu i Madhëruar është Ai i Cili me fuqinë dhe forcën e Tij i furnizon të gjithë gjallesat. Allahu i Madhëruar është Ai i Cili me fuqinë dhe forcën e Tij ka dhënë jetën, Ai do ta marrë dhe po Ai do t’i ringjallë të gjithë njerëzit nga njeriu i parë deri tek i fundit. Allahu i Madhëruar është Ai i Cili me fuqinë dhe forcën e Tij e largon të keqen, sëmundjen, vështirsinë dhe hallin. Allahu i Madhëruar është Ai i Cili me fuqinë dhe forcën e Tij i shpërblen besimtarët dhe i ndëshkon mosbesimtarët.
Dialog:
Aliu: Babi kam dëgjuar se një Profet ka ndërtuar një anije dhe përse ai e ndërtoi atë?
Babai: Ai është profeti Nuh. Nuhu (a.s) e ndërtoi anijen në tokë me urdhrin e Allahut të Madhëruar.
Aliu: Po përse Allahu e urdhëroi Nuhun (a.s) që ta ndërtonte në Tokë dhe jo pranë detit apo lumit?
Babai: Allahu i Madhëruar e pat njoftuar Nuhun (a.s) se një përmbytje e madhe do të ndodhte. Nga kjo anije do të shpëtonte vetëm ai që do të hynte brenda në të.
Aliu: Çfarë ndodhi në ditën e përmbytjes?
Babai: Në fillim uji shpërtheu nga furra ku Nuhu (a.s) gatuante bukë. Më pas nga toka shpërthyen të gjithë burimet, uji i të cilave sa vinte dhe bashkohej, Po ashtu edhe nga qielli po binte ujë me gjyma. Niveli i ujit sa vinte dhe shtohej derisa arriti sa madhësia e një kodre.
Aliu: Çfarë bëri Nuhu (a.s)?
Babai: Në momentin që Nuhu (a.s) pa se uji po rridhte nga furra e bukës, e kuptoi se tashmë kishte ardhur koha e përmbytjes së madhe, kështu që ai bashkë me besimtarët dhe nga një çift për çdo gjallesë hipën në anije.
Aliu: A të gjithë njerëzit hipën në anije?
Babai: Jo
Aliu: Po përse, a nuk ishte anija një mundësi e mirë për të shpëtuar nga përmbytja?
Babai: Kjo është e vërtetë. Por në anije kishin leje për të hipur vetëm besimtarët, kurse jobesimtarët nuk kishin leje për të hipur.
Aliu: Babi edhe një pyetje të fundit. Çfarë ndodhi me njerëzit?
Babai: Ata që ishin besimtarë bashkë me Nuhun (a.s) të cilët hipën në anije shpëtuan që të gjithë, kurse ata që ishin jobesimtarë u mbytën që të gjithë. Tani kam unë disa pyetje për ty, biri im i dashur; Si mendon se ndodhi e gjitha kjo?
Aliu: Me fuqinë dhe forcën e Allahut të Madhëruar.
Babai: Cilën anë duhet të zgjedhim ne?
Aliu: Ne duhet të zgjedhim besimin për të shpëtuar nga dallgët e ndryshme që na përplas jeta.
Babai: Të lumtë biri im.
Lindja e Isait (a.s):
Merjemja ka qenë një vajzë e re – beqare – e cila ka pasë banuar brenda xhamisë Aksa. Ajo ka qenë një besimtare dhe adhuruese e përkushtuar ndaj Allahut të Madhëruar. Ajo u tërhoq në vetmi nga familja e saj diku në një vend nga lindja e xhamisë Aksa duke vendosur një perde midis saj dhe të tjerëve. Ajo veproi në këtë formë me të vetmin qëllim që të përkushtohej sa më shumë në adhurimin ndaj Allahut të Madhëruar.
Një ditë teksa ajo po qëndronte në vendin e saj, papritur i shfaqet engjëlli Xhibril në formë njeriu.
Merjemja tha: “Unë i mbështetem të Gjithëmshirshmit të më mbrojë prej teje, nëse je që i frikësohesh Allahut!
Xhibrili (a.s) tha: “Unë jam një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.”
Merjemja tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e as nuk jam e pacipë.”
Xhibrili (a.s) tha: “Kështu ka për të ndodhur. Zoti yt ka thënë: Kjo për mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë të shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë.”
E Merjemja e lindi djalin e saj, të cilit ia vuri emrin Isa. Isai (a.s) lindi pa baba ndryshe nga të gjithë njerëzit e tjerë. Lindja e Isait (a.s) pa baba ishte një mrekulli nga Allahu i Madhëruar që ndodhi me fuqinë dhe forcën e Tij, i Cili kur i thotë një gjëje bëhu ajo bëhet.
Allahu e shëroi Ejubin (a.s) me fuqinë e Tij
Për një kohë të gjatë Profeti i Allahut Ejubi (a.s) ka qenë i shtrirë në shtrat sepse vuante nga një sëmundje. Ejubi (a.s) iu lut Allahut të Madhëruar me këto fjalë: Mua më gjeti belaja dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve.
Allahu iu përgjigj lutjes së Ejubit (a.s). Allahu i Madhëruar i tha Ejubit (a.s): Bjeri tokës me këmbë. Ejubi (a.s) i ra tokës me këmbë dhe nga aty buroi një burim uji. Njeriu mund t’i bijë gjithë ditës dhe për vite me rradhë tokës me këmbë, por nga toka nuk buron asnjë lloj burimi. Nuk ka dyshim se në rastin e Ejubit (a.s) burimi shpërtheu me fuqinë dhe mrekulli nga Allahu i Madhëruar. Pas kësaj, Ejubi (a.s) me ujin e burimit u la dhe piu prej tij dhe u shërua. Padyshim që Ejubi (a.s) u shërua me forcën fuqinë dhe mrekulli nga Allahu i Madhëruar.
Çarja e detit
Profeti i Allahut Musai (a.s) u largua bashkë me popullin e tij nga Egjipti për të shkuar në tokën që u kishte premtuar Allahu në Palestinë. Mirëpo Faraoni, mbreti i Egjiptit, nuk ishte dakord që populli i Musait (a.s) të largohej nga Egjipti. Prandaj kur e mori vesh se Musai (a.s) bashkë me popullin ishin larguar, ai përgatiti ushtrinë dhe e ndoqi nga pas Musain (a.s) dhe popullin e tij. Përndjekja vazhdoi deri në momentin kur Musai (a.s) dhe populli e tij u gjendën para detit kurse Faraoni dhe ushtria e tij ishin pas shpinës së tyre. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musanë (a.s) që t’i binte detit me shkop. Musai (a.s) i ra detit me shkop dhe deti me fuqinë dhe forcën e Allahut u nda më dysh dhe përpara Musait (a.s) u hap një rrugë kalimi për Musain (a.s) dhe popullin e tij. Musai (a.s) dhe populli i tij ndoqën rrugën e kalimit midis detit që ishtë çarë më dysh derisa kaloi në krahun tjetër të detit. Kur Faraoni pa se deti u nda më dysh, i ndoqi ata nga pas. Mirëpo Allahu i Madhëruar me fuqinë dhe forcën e Tij e mbylli rrugën e kalimit duke bërë që uji i detit të kthehej si më parë duke bërë që Faraoni të mbytej bashkë me ushtrinë e tij.
Pronari i kopshtit
Shumë kohë më parë kanë pasë jetuar dy shokë. Njëri prej tyre ishte më i pasur. Allahu i Madhëruar i pat dhënë dy kopshte me vreshte dhe me hurma. Midis tyre kishte fusha gjelbrimi plot me bereqet. Po ashtu midis tyre kishte dhe lumenj të cilat gurgullonin. Të ky këto kopshte kishin goxha prodhim dhe e gjitha kjo se Allahu i kishte begatuar me mirësinë e Tij. Mirëpo pronari i këtyre dy kopshteve ishte mosbesimtar, mëndjemadh dhe arrogant. Një ditë, me mëndjemadhësi, ai i tha shokut të vet:
Unë kam pasuri më shumë se ti dhe jam më i fortë e i nderuar ndër njerëz. Unë nuk mendoj se ky prodhim do të shterojë ndonjëherë. Unë nuk mendoj se Dita e Gjykimit ka për të ndodhur. Edhe sikur të ringjallesha në botën tjetër, unë do të kisha më tepër prodhim se sa kam tani.
Mirëpo shoku i tha: A po tregohesh mosmirënjohës e pabesimtar ndaj Allahut i Cili të ka krijuar nga dheu, pastaj nga një pikë dhe të ka bërë një njeri të plotë. Unë e falenderoj Allahun dhe nuk i shoqëroj Atij askënd në adhurim. Më mirë për ty do të ishte që kur të hysh në kopësht të thuash: Mashallah. Çdo gjë është prej Allahut. Është e vërtetë që unë kam më pak pasuri dhe fëmijë se ty, por Allahu mund të më japë më tepër mirësi se kopshti yt. Kurse kopshtin tënd mund ta godasë ndonjë rrufe, ose uji mund të zhduket për shkak se ti je mosmirënjohës.
Dhe vërtet ashtu ndodhi, kopshti i tij u shkatërrua me fuqinë dhe forcën e Allahut për shkak se ai u tregua mëndjemadh, arrogant dhe mosmirënjohës.
Ja se si i lutet Kenza Allahut të Madhëruar:
Kenza është një besimtare shumë e mirë. Ajo e di shumë mirë se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka dhe se nuk ka strehim tek askush tjetër veçse tek Allahu. Për këtë arsye ajo gjithmonë thotë: “La haule ue la kuuete il la bil lah” që do të thotë: “S’mund të bëhet asnjë lëvizje dhe nuk ka fuqi për asgjë veçse me ndihmën e Allahut.”
Autor: Elton Harxhi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.