Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgim prej 30 ditëve ndaj dy personave për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor.
D.R. dhe E.R. akuzohen se në natën e 24 marsit në Prizren, kishin rrahur një person, pasi me të fillimisht ishin fjalosur në kafene
Dy të pandehurit ishin duke konsumuar alkool dhe thuhet se nga viktima fillimisht ishin fyer e sharë.
Në momentin kur viktima kishte dal nga kafeneja, ata i ishin sulur pas, e kishin ndjekur me veturë. E kishin ndaluar viktimën dhe e kishin goditur me shkelma e grushte në kokë, duke e lënë të shtrirë përtokë.
Ata ishin larguar më pas, ndërsa viktima ishte vërejtur i shtrirë përtokë nga një kalimtar i rastit që e kishte lajmëruar Emergjencën.
“Gjyqtari i procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh faktin se të pandehurit veprën penale dyshohet se e kanë kryer më datë 24 mars, ndërsa më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes, dhe pas veprimeve operative e hetimore të organeve të ndjekjes ata janë identifikuar dhe arrestuar më datë 26 mars, shton dyshimin e bazuar që nëse të njëjtëve nuk iu caktohet paraburgimi, ata mund të arratisen dhe të jenë të pa kapshëm për organet e drejtësisë në faza tjera të procedurës penale, me çka do paraqiste pengesë reale për zhvillimin e rregullt të procedurës hetimore në këtë çështje penale. Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurve është masë konkrete, duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurve dhe sjelljen e mëparshme të tyre, duke u bazuar në informacionin nga evidenca për të kaluarën kriminale, rezulton se të pandehurit e lartcekur janë recidivistë, kryerës të mëhershëm të veprave penale të natyrës së njëjtë, por edhe të natyrave tjera”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Masa e paraburgimit ndaj dy të akuzuarve hynë në fuqi nga 24 marsi, kur është kryer vepra.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.