1,643 persona të pagjetur në Kosovë, 2 janë nga Dragashi

Opoja.net Opoja.net Opoja

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, çështja e rreth 1.650 personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur.

Portali Opoja.net ka mësuar 2 emrat e personave të pagjetur që janë nga Komuna e Dragashit, Nikolla Jovanoviq i lindur më 18.06.1973 në Lubovishtë/Dragash i humbur në Deçan më 24.05.1998 dhe Faridin Sadula i lindur më –.–.1931 në Lubovishtë/Dragash i humbur në  Deçan më 15.07.1999. 

Familjarë të personave të pagjetur në Kosovë ende po kërkojnë që Serbia të kushtëzohet me kthimin e trupave të pagjetur të anëtarëve të tyre të familjes, raporton Opoja.net.

Në mbledhjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ku u diskutua për çështje të ndryshme rreth personave të pagjetur të luftës së fundit në Kosovë, u diskutua edhe për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur dhe organizimin e saj në Kosovë, më 30 gusht.

Nysrete Kumnova, nëna e Albion Kumnovës, një nga të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë, e cila tash e 20 vjet kërkon eshtrat e të birit, kërkoi t’i bëhet presion Serbisë për këtë çështje.

Kumnova thotë se Mjekësia Ligjore duhet t’i zbardhë edhe identitetet e 300 mbetjeve mortore që datojnë nga Lufta e Parë Botërore e deri në vitin 1999, e të cilat ende mbahen në Morgun e Prishtinës të paidentifikuara.

“Edhe për 300 mbetje mortore flitet që shumë vite që janë të paidentifikuar dhe nuk dihet kujt i përkasin. Përse nuk bëhet kjo zgjidhje e këtyre familjeve që të kuptojmë ne për fatin e tyre. Ne vite të tëra kërkojmë, së paku po flas për veten time. Nëse vetëm një copë asht i gjendet birit tim, dua të ma ktheni, jo t’i mbani ato 300 mbetje mortore që nuk dihet kujt i takojnë. Ato dikujt i takojnë”, tha Kumnova.

Por për këtë çështje, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Jahja Lluka, e siguroi Kumnovën që sapo të bëhet identifikimi i tyre do të jetë gjithçka transparente.

Nga Mjekësia Ligjore, doktori Naim Uka, tregoi se këtë vit janë realizuar numër rekord i procedurave operative në terren. Ai tha se për ndryshim prej viteve tjera kur këto kanë qenë përgjegjësi e misioneve ndërkombëtare, këtë vit Instituti i Mjekësisë Ligjore në bashkëpunim me EULEX-in ka bërë 19 operacione në terren.

“Prej 19 operacioneve në terren kemi pasur zhvarrime, vlerësime, konfirmime të identitetit, të cilat janë realizuar kryesisht bazuar në kapacitetet profesionale vendore. Prandaj, si përfundim i krejt këtyre del fakti se Instituti i Mjekësisë Ligjore ka kapacitete të mjaftueshme mjekoligjore profesionale për të marrë përgjegjësi të plota të çështjes së personave të zhdukur në aspektin mjekoligjor”, tha Uka.

Uka tha se duhet edhe më shumë bashkëpunim në bazë të ofrimit të informatave në mënyrë që të ketë më shumë gjetje mjekoligjore, ngase nga 19 operacione “numri i të gjeturave mjekoligjore është i vogël, çka me një bashkëpunim më të mirë, më konkret, me personat të cilat kanë informata më të sigurta, gjetjet do të mund të rriteshin”.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, çështja e rreth 1.650 personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur. Zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe po ashtu format e deritanishme të trajtimit të këtij problemi mbesin sfidë për autoritetet kosovare. /Opoja.net/

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-