2 vite e 4 muaj burgim me kusht për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Financave dhe zyrtarit të Komunës së Dragashit

Opoja.net Opoja.net Opoja

Prizren – Gjykata Themelore në Prizren, të enjten e ka dënuar me 1 vjet e 4 muaj dënim me burgim me kusht ish-drejtorin e Financave në Komunën e Dragashit, Ahmet Bahtijarin dhe 1 vjet dënim me burgim me kusht zyrtarin e kësaj komune, Selajdin Vehbi.

Sipas aktgjykimit dënues të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi për të akuzuarin Ahmet Bahtijari për veprën penale keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar i është shqiptuar dënim me 1 vit burgim me kusht, ndërsa për veprën penale konflikt interesi 6 muaj dënim me burgim me kusht ashtu që ndaj tij është shqiptuar dënim unik me burgim me kusht prej 1 vit e 4 muaj i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej 3 vitesh, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, për të akuzuarin Selajdin Vehbi për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar i është shqiptuar dënimi me 1 vit dënim me burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej 2 vitesh.

Po ashtu, sipas aktgjykimit, secili prej të akuzuarve obligohet të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë paushallin gjyqësor në shumë prej 200 euro ndërsa shumën prej 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi  i njëjti i njoftoi palët prezente se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, të cilët i ngarkon me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, akuzohet edhe për “Konflikt të interest”.

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohej se gjatë periudhës 2004 e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtijari.

Në aktakuzë thuhej se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve.

Kështu që thuhet se i mundëson djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohej se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djalit të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, akuzoheshin se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtarë të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Në aktakuzë thuhej se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.

Kështu që, sipas aktakuzës, i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-