Libri “Gojë më gojë, përralla n’Opojë” iu dhurua shkollës së Plavës

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Nxënësve filloristë të shkollës së fshatit Plavë të Dragashit, sot iu dhurua një kontigjent librash me poezitë më të njohura për fëmijë në Opojë, nga autori Ismet Lecaj.
Libri “Gojë më gojë, përralla n’Opojë”, botim nga Radio SHARRI në Dragash, ka kohë që po pret mbështetjen financiare, në mënyrë që nxënësit ta kenë falas në duart e tyre. Këtë fat, sot e patën nxënësit e paralelës së ndarë në Plavë të SHFMU-së “Shaban Shabani” nga Llopushniku. Kjo, falë mbështetjes financiare të afaristit të mirënjohur nga fshati Plavë, Masar Piraj, i cili nuk ka hezituar për këtë donacion, sapo i është prezantuar ideja për këtë aksion. Drejtori i Radio SHARRI-t, Beqir Beqaj, sot ka vizituar këtë shkollë, ku ka dorëzuar një numër simbolik të ekzemplarëve të këtij libri. Ai është pritur nga mësimdhënësit e kësaj shkolle, Adnan Hulaj dhe Valmira Bojaxhiu, të cilët kanë shprehur falënderim për botuesin e këtij libri, autorin Ismet Lecaj, si dhe për donatorin, Masar Piraj. “Ky kontigjent librash, le të jetë titulli i parë i një libri, me të cilin do ta krijojmë një mini-bibliotekë në shkollën tonë. Shpresojmë se në të ardhmen do të kemi edhe tituj të tjerë sepse nxënësit kanë nevojë për libra të këtij lloji. Natyrisht, ne i jemi mirënjohës Radio SHARRI-t, autorit dhe donatorit. Na gëzon fakti që dikush është kujtuar për një donacion si ky”, tha mësuesi, Adnan Hulaj, teksa pranoi ekzemplarët e librit më të famshëm në Opojë me poezi për fëmijë, në të cilin dominojnë ato humoristike dhe satirike, me motive nga treva e Opojës.
Drejtiri i Radio SHARRI-t, Beqir Beqaj, tha se ideja e këtij aksioni është që nxënësit nga të gjitha shkollat, të kenë mundësinë e leximit të këtij libri, por që gjithmonë ngecja vjen për mungesë financiare. “Ne do ta vazhdojmë këtë aksion, pasi kemi premtime edhe nga donatorë të tjerë, të cilët, parimisht e kanë përkrahur aksionin tonë. Madje, kemi premtime edhe nga kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, që secila shkollë të ketë disa ekzemplarë të këtij libri”, ka thënë Beqaj.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-