Drejtori për Sport, Granit Rugova dhe drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi kanë qëndruar, sot, Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali. Ata janë pritur nga presidenti Agim Ademi dhe ud. sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj.
Me këtë rast, ata kanë vizituar fushat dhe objektet përcjellëse, e ku po vazhdon puna në kompletimin e këtij kompleksi të futbollit, i cili i shërben nevojave të ekipeve kombëtare.
Ademi ka falënderuar drejtorët komunal për mbështetjen që po i japin futbollit, veçmas në përmirësimin e kushteve infrastrukturore, derisa ka shprehur shpresën për shumë bashkëpunime tjera ndërmjet FFK-së dhe institucioneve të nivelit lokal e atij qendror, me qëllim që rinisë sonë t’u krijohen hapësira, kushte dhe mundësi sa më të mira për zhvillimin e talentit të tyre në futboll.
I pari i FFK-së ka falënderuar komunën edhe për asfaltimin e një pjese të rrugës në afërsi të Kampit Nacional, gjë e cila e ka lehtësuar qasjen në kamp, por edhe qarkullimin e banorëve të kësaj pjese. Në anën tjetër, dy drejtorët komunal janë shprehur të lumtur që me realizimin e projekteve të ndryshme po e ndihmojnë edhe sportin, teksa i shprehën mirënjohje FFK-së për punën e bërë në Kampin Nacional në Hajvali.
Ata u shprehën të gatshëm që edhe në të ardhmen të jenë në koordinim me FFK-në dhe të mbështesin projektet që kanë të bëjnë për sportin dhe në veçanti për futbollin në kryeqytet.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.