Një jetë në shërbim të dijes – pensionohet veterani i arsimit z. Ajet Reshiti

Opoja.net Opoja.net Opoja

Sot, në ambientet e Shkollës së Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash, u organizua një ceremoni nderimi për pensionimin e mësimdhënësit, pedagogut, ish-drejtorit dhe profesorit të psikologjisë, z. Ajet Reshiti – një figurë e njohur dhe e respektuar e arsimit në komunën tonë.

Me rastin e ditëlindjes së 65-të, z. Reshiti përmbylli një rrugëtim të lavdishëm prej më shumë se katër dekadash në shërbim të arsimit dhe edukimit të gjeneratave të tëra, duke lënë një trashëgimi të çmuar profesionale e njerëzore.

Z. Ajet Reshiti lindi më 2 qershor 1960 në fshatin Bresanë të komunës së Dragashit. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në Akademinë Pedagogjike “Dimitrie Tucović”, në vitin shkollor 1978/79. Në vitin akademik 1979/80 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën e Pedagogjisë, ku u diplomua në vitin 1984, duke fituar titullin profesional “Profesor i Pedagogjisë”.

Në vitin 1985 filloi punën si mësues në shkollën fillore “28 Nëntori” në Bresanë, fillimisht në paralelet e ndara në fshatrat Kosavë dhe Kuk, ku shërbeu për gjashtë vite. Më pas u transferua në shkollën amë në Bresanë si mësues klasor, e më vonë si pedagog. Për 14 vite radhazi shërbeu me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë si drejtor i kësaj shkolle.

Në vitet e fundit të karrierës, Reshiti punoi si zyrtar në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Dragash, ndërsa në vitin e fundit shërbeu edhe si profesor i psikologjisë në SHML “Ruzhdi Berisha”.

Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm brenda mureve të shkollës. Z. Ajet Reshiti ishte një zë i guximshëm në mbrojtje të arsimit dhe të drejtave të arsimtarëve. Në vitin 1992 u burgos politikisht nga regjimi okupues serb për shkak të motos “Edhe ne duam shkolla”, si dhe ishte pjesëmarrës aktiv në protestat studentore të vitit 1981, me moton “Kosova Republikë”. Ai ishte anëtar i Kryesisë Qendrore të SBASHK-ut dhe për 20 vite kreu detyrën e kryetarit të Sindikatës së Arsimit në Dragash.

Me rastin e pensionimit, ne si staf i Televizionit Opoja ndjejmë nder dhe krenari që dikur kemi qenë nxënësit e tij. Hapat tanë të parë në rrugën e dijes i hodhëm me udhëheqjen dhe kujdesin e tij, duke marrë prej tij jo vetëm njohuri, por edhe vlera njerëzore e shoqërore që na shërbejnë edhe sot në profesionin tonë. Z. Reshiti do të mbetet gjithmonë shembull i përkushtimit, urtësisë dhe dashurisë për arsimin. I urojmë shëndet, qetësi e gëzim në vitet në vijim dhe e falënderojmë me mirënjohje për gjithçka që ka dhënë për ne dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Nesër pritet të organizohet një tjetër aktivitet në shkollën “28 Nëntori” në vendlindjen e tij, ku ai ndërtoi themelet e karrierës dhe dha pjesën më të madhe të jetës së tij profesionale.

©TVOPOJA

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-
Merr lajmet me njoftim OK Jo faleminderit