Sot një javë është Dita e Bajramit të Kurbanit. I Dërguari i Allahut na mëson se nuk ka vepër më të dashur dhe më të vlefshme në këtë ditë sesa therja e kurbanit. Allahu i Madhëruar e ka bërë obligim therjen e kurbanit edhe për ne, ashtu siç e kishte bërë për çdo popull para nesh, me qëllim që emri i Allahut të përmendet gjatë therjes së kafshëve. I Dërguari i Allahut (savs) e ka therur vetë kurbanin e tij, duke thënë: “O Zoti im, pranoje këtë nga unë dhe nga familja ime!”
Në suren më të shkurtër të Kuranit (el-Kevther) , Allahu na e urdhëron therjen e kurbanit. Gjithashtu, Ai na i mëson mesazhet dhe dispozitat e kurbanit përmes tregimeve për bijtë e Ademit dhe për Ibrahimin dhe Ismailin (paqja qoftë mbi ta). Nga tregimi për bijtë e Ademit mësojmë se zilia është mëkat i rëndë, dhe se vepra nuk pranohet përveçse nëse bëhet me qëllim të pastër. Allahu i Madhëruar thotë se Ai i pranon veprat vetëm nga të devotshmit.
Nga tregimi për Ibrahimin dhe birin e tij Ismailin mësojmë se dashuria për Zotin shpërblehet shumëfish, se gatishmëria për flijim shpërblehet, dhe se duke ndarë nga ato që na janë të dashura, ne lëmë gjurmë të mira në këtë botë dhe e ndërtojmë shtëpinë tonë në Xhenet. (Te përmendja e Ibrahimit.)
I Dërguari i Allahut thotë se nuk ka asnjë veprim më të rëndësishëm dhe më të domosdoshëm në ditët e bajramit sesa therja e kurbanit, kurse në kohën në të cilën po jetojmë, nuk ka asgjë më të nevojshme se sa që të mësojmë nga kurbani për ta dëshmuar besimin tonë me vepra. Shtatë ditë na ndajnë nga Bajrami i Kurbanit – mjaftueshëm për të reflektuar mbi mesazhet e kurbanit, për t’i përfshirë ato në jetën tonë, për ta pasuruar jetën tonë me to, dhe për të garuar çdo ditë në vepra të mira.
Kurbani – siç e tregon edhe vetë emri – është një ibadet që na afron tek Allahu. Por, që çdo vepër e mirë të na afrojë tek Allahu, ajo duhet të jetë e sinqertë. Vepra e Habilit ishte e tillë, dhe Allahu e pranoi prej tij, sepse ai ishte prej të sinqertëve, ndërsa veprën e vëllait të tij e refuzoi.
Nga rasti i Ibrahimit (a.s.) mësojmë se kur qëllimi i veprës është i pastër, edhe nëse vepra nuk është realizuar, ajo regjistrohet si një e mirë. Ibrahimi (a.s.) për shkak të qëllimit të tij të sinqertë, edhe para se ta realizonte veprën, edhe pasi që nuk e kreu fare veprën, e dëgjoi zërin e Zotit: “… O Ibrahim, – ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët!” (es-Saffat, 104-105).
Që ne ta fitojmë shpërblimin e kurbanit – dhe këtë na e mëson i Dërguari i Allahut – duhet që me pikën e parë të gjakut që bie në tokë nga kurbani ynë, të bien nga ne edhe mëkatet tona, por që të ndodhë kjo, kurbani duhet të jetë i rregullt. Ai duhet t’i plotësojë kushtet e moshës dhe të shëndetit. Sipas dispozitave të fesë sonë, kurbani nuk mund të jetë më i ri se një vjeç (delja) ose më i ri se dy vjeç (lopa), dhe nuk guxon të jetë as i sëmurë as i dëmtuar. Allahu e pranon vetëm atë që është e mirë, dhe ne duhet t’i pranojmë mesazhet e kurbanit, duke i ringjallur ato në jetën tonë, në mënyrë që këtë vepër më të mirë të Bajramit ta përjetojmë në çdo ditë përmes mësimeve që ajo na sjell.
Kurbani na mëson se në ndarje nuk duhet të ketë kurrfarë interesi të kësaj bote. Nuk lejohet të përfitohet asgjë (e kësaj bote) nga kurbani. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush e shet lëkurën e kurbanit të tij, ai nuk ka bërë kurban.” Ndarja duhet të jetë krejtësisht e pastër nga çdo dëshirë për status apo përfitim material dhe duhet të bëhet me qëllimin që të fitojmë vetëm shpërblimin e botës tjetër. Me ndarjen e mishit të kurbanit, ne nuk i ndihmojmë njerëzit – por ne u shërbejmë atyre. Kur ndihmon dikë, ai ndjen obligim të ta kthejë. Allahu ua ka dhënë të pasurve pasurinë që përmes saj t’u shërbejnë të tjerëve. Ndarja e mishit të kurbanit është një formë shërbimi. Hz. Aliu (r.a.) na mëson dhe na thotë: “Kur ndan nga pasuria jote, ajo që e ndan të drejtohet dhe të thotë: isha e pakët, por ti më shumove; isha e vogël, por ti më rrite; isha armiku yt, por ti më bëre mik; isha kalimtare, por ti më përjetësove; deri tani ti më ruajte mua, kurse tash e tutje unë do të të ruaj ty.”
Edhe vetë ndarja e mishit të kurbanit është një mësim për mënyrën se si duhet t’i radhisim detyrimet dhe përgjegjësitë tona. Dispozita e kurbanit thotë që një të tretën e mishit ta lëmë për vete dhe për familjen tonë. Kjo na mëson se çdo ditë, së pari, duhet t’u kushtojmë vëmendje nevojave të familjes, sepse i Dërguari i Allahut na mëson se ne jemi barinj dhe do të pyetemi për kopenë tonë – kopeja jonë është familja jonë.
Të tretën e dytë të mishit të kurbanit, sipas dispozitave të fesë, duhet t’ua ndajmë të afërmve dhe miqve. Allahu i Plotfuqishëm, në suren en-Nisa na porosit: “… Frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore…” (en-Nisa’, 1). Ndërsa i Dërguari i Allahut (savs) paralajmëron: “Kush ka të varfër në mesin e farefisit të tij dhe nuk është bamirës ndaj tyre, dhe as sadakanë që u takon atyre ia jep dikujt tjetër, Allahu nuk do t’ia pranojë atë sadaka dhe as nuk do ta shikojë në Ditën e Gjykimit.” (Ebu Davudi)
Përveç se në ditët e Bajramit i therim kurbanet, ne nga ajo sakrificë mësojmë se duhet që çdo ditë, sipas mundësive tona, të sakrifikojmë – të ndajmë nga ajo që kemi. Këtë posaçërisht e thekson dispozita për kurbanin, e cila thotë se të tretën e tretë ta ndajmë për të varfërit. Ebu Dherri (r.a.), i kërkoi të Dërguarit të Allahut: „Më porosit diçka që do të jetë veçanërisht e rëndësishme për mua në jetë.“ I Dërguari i tha: “Duaji të varfrit dhe shoqërohu me ta.” Ai gjithashtu tha: “Allahu është në ndihmë të robit të Tij përderisa ai është në ndihmë të vëllait të tij.” Kurbani na mëson se nëse e dëshiron ndihmën e Allahut, ndihmoje atë që ka nevojë.
Nuk ka asgjë më të vlefshme gjatë ditëve të Bajramit sesa therja e kurbanit. Dhe kurbani na mëson se nuk ka asgjë më të rëndësishme në jetët tona sesa familjet tona. Forca jonë buron nga ruajtja e lidhjeve farefisnore, kurse lumturia jonë do të vijë nga gatishmëria për t’i ndihmuar të tjerët.
O Allahu i Madhëruar, pranoji kurbanet tanë dhe na i hap zemrat për mesazhet që na i tregon kurbani! Amin.
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.