Klubi i Çiklizmit “Opoja” nis fushatën edukative për biçikletën në shkollat e Dragashit

Opoja.net Opoja.net Opoja

Sot në Komunën e Dragashit u lansua zyrtarisht projekti edukativo-sportiv “Biçikleta – Mjeti i Aventurës, Shëndetit dhe Zhvillimit të Turizmit”, i iniciuar nga Klubi i Çiklizmit “Opoja”, në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Drejtorinë e Arsimit.

Ky projekt ka për qëllim të vetëdijësojë nxënësit për përfitimet e shumta të biçikletës në krahasim me mjetet tjera të transportit, duke nxitur një stil jetese më të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe aktiv – me theks të veçantë në potencialin e turizmit malor në Dragash.

Ligjëratat e para u mbajtën sot në tri shkolla fillore: SHFMU “28 Nëntori” në Bresanë, Shkolla “Ulina” në Kosavë dhe Shkolla “Sezai Surroi” në Bellobrad. Para nxënësve ligjëroi z. Ahmet Kamberi, një nga anëtarët themelues të Klubit të Çiklizmit “Opoja”, i cili trajtoi rëndësinë e biçikletës si mjet ekologjik dhe sportiv. Bashkë me të ishte edhe z. Arlind Salihu, po ashtu pjesë e brezit të parë të klubit.

Televizioni Opoja raporton se gjatë këtyre ligjëratave u trajtuan temat që lidhen me ndikimin pozitiv të biçikletës në shëndetin fizik dhe mendor, si dhe potenciali që ajo ofron për zhvillimin e turizmit lokal dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe drejtoresha e DKRS-së, znj. Liridona Misini Piraj, dhe shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, z. Veton Halili, të cilët e përkrahën fuqishëm këtë nismë. Drejtuesit e shkollave pjesëmarrëse u shprehën të kënaqur dhe e mirëpritën projektin me entuziazëm.

Ligjëratat do të vazhdojnë edhe në shkollat tjera të Komunës së Dragashit, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të kultivuar te të rinjtë dashurinë për sportin, natyrën dhe një mënyrë jetese aktive.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-
Merr lajmet me njoftim OK Jo faleminderit