Seancë solemne dhe aktivitete kulturore në Ditën e Çlirimit të Dragashit

Opoja.net Opoja.net Opoja

Në kuadër të agjendës së aktiviteteve për shënimin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Dragashit, sot është mbajtur Seanca solemne e Kuvendit të Komunës, ku morën pjesë udhëheqësit lokalë, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve dhe të OVL-së së UÇK-së, përfaqësues të institucioneve fetare, të sigurisë, arsimit, media dhe qytetarë të shumtë.

Mysafirë të veçantë në këtë seancë ishin kryetari i Komunës së Mavrovës dhe Rostushës nga Maqedonia e Veriut, z. Medat Kurtovski, kryesuesja e Kuvendit të kësaj komune, znj. Teuta Mirto, dhe nënkryetari, z. Kenan Elezi. E pranishme ishte gjithashtu edhe Qytetarja e Nderit e Komunës së Dragashit, znj. Janet Reineck.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Dragashit, znj. Arijeta Skeraj, në fjalën e saj uroi qytetarët për këtë ditë të shënuar, duke theksuar se liria e fituar 26 vjet më parë ishte rezultat i sakrificës së bijve dhe bijave më të mirë të vendit. Ajo përmendi rolin vendimtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe unitetin e popullit në këtë rrugëtim të lavdishëm.

Kryetari i Komunës, z. Xheladini, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë seancë solemne dhe uroi qytetarët me rastin e Ditës së Çlirimit, duke e cilësuar këtë datë si një nga më të rëndësishmet në historinë e re të vendit. Ai theksoi se kjo ditë është simbol i fitores mbi padrejtësinë dhe shtypjen sistematike të regjimit serb.

Në këtë seancë me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe përfaqësuesi i OVL-së së UÇK-së, z. Salih Shala, përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve, z. Sherif Sylejmani, si dhe nënkryetari nga radhët e komuniteteve, z. Fejsal Halilović.

Pas përfundimit të seancës, u organizuan homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, te Varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe Buqe, si dhe te Pllaka përkujtimore e dëshmorit turk, Husein Kutlu.

Aktivitetet festive vijuan me koncert në sheshin e qytetit dhe garën tradicionale të vrapimit të kuajve në Mejdan të Opojës, të organizuara nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me Shoqërinë Kulturore Artistike “Bresana” dhe Klubin e Kuajve “Opoja”.

Dragashi sot kremtoi me krenari dhe respekt për historinë, duke nderuar të kaluarën dhe festuar lirinë.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-
Merr lajmet me njoftim OK Jo faleminderit