Rivaliteti më i madh individual i shekullit XXI, dhe ndoshta i të gjithë historisë së futbollit, mbetet ai mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.
Dy ikonat e futbollit global e përcaktuan “El Clasico-n” për plot nëntë vite emocionuese, dhe tashmë Arabia Saudite po shpreson që t’i përballë sërish në fushë – ndoshta për herë të fundit.
Të dy po synojnë të marrin pjesë në Kupën e Botës 2026 me përfaqësueset respektive – Portugalia dhe Argjentina – dhe një përballje në atë turne do të ishte një kulm i përsosur i epopesë së tyre. Megjithatë, Arabia Saudite synon t’i rikthejë përballjet mes tyre edhe në nivel klubesh.
Cristiano Ronaldo rinovon me Al-Nassr
Pas javësh spekulimesh për të ardhmen e tij, Cristiano Ronaldo pritet të qëndrojë te Al-Nassr, aty ku ka performuar në dy vitet e fundit në nivel të lartë.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, është arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës së tij, edhe pse ende nuk është përcaktuar nëse do të zgjasë deri në vitin 2026 apo 2027.
Arabia Saudite synon transferimin e Lionel Messit
Ndërkohë, Lionel Messi është i përqendruar te Inter Miami dhe ndeshja e rëndësishme në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës për Klube kundër PSG-së.
Por sipas “Al-Midan Sports”, Arabia Saudite po përgatit një tjetër ofensivë për ta afruar Messin në ligën e tyre. Presidenti i Al-Hilal, Fahad bin Nafel, ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe ka planifikuar një takim me babanë dhe agjentin e Messit, Jorge Messi, për të diskutuar mundësinë e transferimit. Kontrata aktuale e Lionel Messit me Inter Miami skadon në fund të këtij viti, gjë që hap rrugën për një lëvizje të mundshme.
Arabia Saudite ka qenë më parë e interesuar për shërbimet e Messit, duke i bërë ofertë kur ai u largua nga PSG. Messi gjithashtu ka qenë për një kohë të gjatë ambasador turistik i vendit.
Nëse të gjitha këto lëvizje konkretizohen, futbolli mund të jetë në prag të një tjetër përballjeje historike mes dy legjendave më të mëdha të epokës moderne.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.