PDK Dragash kundërpërgjigjet: Kryetari po tenton të maskojë dështimet

Senat Trupaj Senat Trupaj Opoja

Më poshtë e keni reagimin e plotë të Degës së PDK-së në Dragash lidhur me zhvillimet e fundit:

KUNDËRREAGIM I PDK-së NË DRAGASH NDAJ TENTATIVËS PËR TË MASKUAR DËSHTIMIN E PUSHTETIT AKTUAL

Të nderuar qytetarë të Komunës së Dragashit,

Pas leximit të reagimit të Kryetarit të Komunës, ndjejmë obligim moral dhe politik t’i japim qytetarëve pasqyrën reale të gjendjes në Dragash. Ky reagim i fundit i Kryetarit për çështjen e Radio “Sharrit” është vetëm një përpjekje e dëshpëruar për të hedhur hi syve të opinionit publik dhe për të shmangur vëmendjen nga e vërteta: pushteti aktual ka dështuar dhe është në panik të thellë nga largimi i afërt.

MASHTRIMI I RADHËS NUK E FSHEH DOT TË VËRTETËN

Kryetari mundohet t’ua shes qytetarëve si “transparencë” një akt të qartë hakmarrës dhe presioni ndaj një mediumi lokal – Radio “Sharrit” – vetëm pse nuk është rreshtuar në shërbim të propagandës së pushtetit. Të ndërpresësh bashkëpunimin me një media sepse nuk ka transmetuar një aktivitet ceremonial, është kulmi i hipokrizisë dhe dëshmi e qartë e mungesës së tolerancës.

PDK ASNJËHERË NUK KA KËRCËNUAR LIRINË E MEDIAS

Akuzat tuaja ndaj Partisë Demokratike të Kosovës janë të pabazuara dhe përbëjnë vetëm një tjetër tentativë për të krijuar përçarje artificiale aty ku ajo nuk ekziston. PDK nuk ka ndikuar dhe as nuk ka ndërhyrë ndonjëherë në drejtimin editorial të Radio “Sharrit”. Këto janë vetëm trillime të një pushteti që çdo ditë po humb terren dhe kërkon fajtor imagjinar për dështimet e veta.

S’NA NDANI, PAVARËSISHT DËSHIRËS SUAJ

Ne ju bëjmë me dije publikisht se Dega e PDK-së në Dragash është e bashkuar, e koordinuar dhe e vendosur më shumë se kurrë të qëndrojë përkrah qytetarëve. Përkundër angazhimit tuaj të pandalur për të krijuar përçarje, ne nuk do t’ua japim atë kënaqësi. Ne nuk përçahemi – ne forcohemi.

FRIKA JUAJ NGA HUMBJA ËSHTË E DUKSHME

Frika e humbjes në zgjedhjet e ardhshme ju ka çuar në veprime të pakoordinuara dhe deklarata që tejkalojnë çdo standard etik. Reagimet tuaja janë një sinjal i qartë se jeni në panik, dhe se tashmë keni humbur kontrollin, jo vetëm në administratë, por edhe mbi veten. Qytetarët e kanë kuptuar dhe vendosur: Dragashi ka nevojë për një qeverisje të re, që bashkëpunon, nuk përçan; që respekton, nuk i frikëson; që ndërton, nuk aktron.

Krahas mashtrimit që u keni bërë shumicës së partive politike, ju mbi të gjitha, pa fije turpi, keni mashtruar e injoruar vetë votuesit tuaj, që nga dita e parë kur ata ju sollën në pushtet, por ju u sollet si padronë të tyre. Ata çdo ditë po largohen nga ju. Nga egoja e pakontrolluar e pushtetit, ju e shkëputët edhe bashkëpunimin me nivelin qendror dhe u sollet sikur ju të ishit vetë qeveria qendrore – duke komunikuar me statuse që nuk kanë asnjë bazë e arsyeshmëri, në vend që të ruhej dhe të thellohej ky bashkëpunim për të mirën e qytetarëve.

Kësaj qeverisje po i vjen erë diktature, jo vetëm nga Kryetari, por edhe nga zyrtarët që ai ka rekrutuar rreth vetes, të cilët çdo ditë vëzhgojnë qytetarët se kush po jep kritika për “shefin” e tyre. U bëjmë me dije këtyre hijenave të pushtetit se një ditë do të japin llogari për shantazhet që po mundohen t’u bëjnë të gjithë atyre që mendojnë ndryshe apo që nuk janë me ta. Liria e mendimit nuk frikësohet me survejim dhe presion. Demokracia nuk e njeh heshtjen e imponuar.

NUK NA MUND AS ME TEATËR POLITIK, AS ME MASHTRIME

Ju thoni se opozita duhet të jetë konstruktive. Po kush më shumë se PDK-ja ka sjellë propozime konkrete për zhvillim ekonomik, arsim, bujqësi e infrastrukturë? Janë injoruar sistematikisht nga pushteti juaj arrogant dhe hakmarrës. Dhe po, bojkotimi i një seance ku demokracia shkilet me këmbë, nuk është kalkulim – është reagim legjitim ndaj një pushteti që s’dëgjon e s’respekton askënd përveç vetes.

DËSHTIMI KA EMËR – AI ËSHTË BEXHET XHELADINI

Të gjitha partitë politike që sot janë në opozitë kanë një gjë të përbashkët: janë mashtruar prej jush. Por qytetarët e Dragashit kanë vendosur – ata nuk do të lejojnë më që një kryetar pa vizion, pa etikë politike dhe pa guxim për bashkëpunim të vazhdojë të sundojë mbi ta. Dragashi do të lirohet nga hipokrizia dhe abuzimi institucional.

E NESËRMJA ËSHTË E AFËRT – SHPRESA PO RIKTHEHET

Ne besojmë në qytetarin e Dragashit – të ndershëm, të zgjuar dhe të vendosur. Koha e ndryshimit po vjen, dhe ajo do të jetë në duart e qytetarëve që duan bashkëpunim e zhvillim, jo hakmarrje dhe izolim.

Me respekt,
Dega e PDK-së – Dragash
3 Korrik 2025

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-