Kompania vendore MEKA, njëra ndër industritë më të mëdha dhe më të suksesshme të Komunës së Dragashit, është aprovuar për eksport në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ky zhvillim shënon një hap të ri në rrugëtimin e MEKA-s, duke e vendosur emrin e saj në tregjet rajonale dhe duke e përfaqësuar me dinjitet prodhimin vendor jashtë kufijve të Kosovës. Produktet e kësaj industrie, të njohura për cilësinë, pastërtinë dhe përkushtimin ndaj standardeve më të larta, pritet që shumë shpejt të jenë pjesë e tryezave të konsumatorëve në vendin fqinj.
Përveç vlerës simbolike, ky sukses sjell me vete mundësi të reja për zgjerim ekonomik, rritje të kapaciteteve prodhuese dhe hapje të vendeve të reja të punës për qytetarët e zonës. MEKA po dëshmon se me përkushtim, vizion dhe punë të ndershme, industria vendore mund të konkurrojë me sukses në tregje më të gjera.
TV Opoja e sheh këtë arritje si një moment krenarie, një dëshmi e gjallë se potenciali ekonomik i kësaj treve po gjen rrugë të reja për t’u shprehur dhe për t’u vlerësuar.
Urime MEKA-s për këtë hap të rëndësishëm!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.