Mungon njëri anëtar i trupit gjykues, anulohet seanca ndaj të akuzuarve për transportim dhe shitje të substancave narkotike

Opoja.net Opoja.net Opoja

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është anuluar seanca e së mërkurës ndaj të akuzuarve Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa dhe Gjulin Radoja, të cilët ngarkohen për transportim dhe shitje të substancave narkotike. Shkak për anulimin e kësaj seance u bë mungesa e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj.

Nga zyra e kryetarit të trupit gjykues Lutfi Shala, kanë bërë të ditur se gjyqtari Kurtaj mungon për arsye personale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, për këtë rast, të akuzuar janë 11 persona, por procedura është veçuar ndaj të akuzuarve Qerimi, Mustafa dhe Radoja.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 22 nëntor 2023, të akuzuarit Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa dhe Gjulin Radoja janë shpallur fajtorë, ashtu që Qerimi është dënuar me 4 vite  e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë. Mustafa është dënuar me 5 vite dhe 10 mijë euro gjobë, kurse Radoja është dënuar me 2 vite e 6 muaj dhe 10 mijë euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me vendimin e 30 majit 2024, çështjen e ka kthyer në rigjykim, pasi që sipas Apelit aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të KPPRK-së, të cilat kanë kushtëzuar edhe anulimin e saj, pasi që nuk janë dhënë në kuptim të plotë çështjet thelbësore me të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë.

Sipas aktakzuës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 27 dhjetor 2022, Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa, Xhenan Shala, Gazmend Aliu, Bardhyl Rumija, Namzi Mziu, Gjulin Radoja, Suad Buliq, Fatlum Abdullahu, Jeton Aliu dhe Venhar Pajaziti, akuzohen që në bashkëveprim kanë shpërndarë dhe transportuar drogë në peshë deri në 91 kilogramë marihuanë.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, Mexhaid Qerimi së bashku me Fehmi Mustafën akuzohen se përgjatë vitit 2021 deri më 9 shkurt 2022, së bashku me persona të tjerë, kanë shpërndarë dhe transportuar substanca narkotike pa autorizim me qëllim shitjeje.

Në aktakuzë thuhet e fillimisht, të akuzuarit kishin planifikuar që droga të transportohet drejt Serbisë përmes autobusëve të kompanisë “Deda Reisen”, pronë e Fehmi Mustafës. Ashtu që më 9 shkurt 2022, Qerimi me automjetin e tij ngarkoi narkotikët dhe u nis drejt fshatit Konushevc të Podujevës, ku u takua me Fehmi Mustafën. Në oborrin e shtëpisë së këtij të fundit, ku ndodheshin autobusët për transport, thuhet se kur Qerimi nxori çantat për t’i vendosur në autobus, vuri re një pajisje përgjuese duke kuptuar se po vëzhgohej, ai i ktheu çantat në automjet dhe tentoi të largohej. Policia tentoi ta zë, por ai arriti të ikë, duke lënë makinën e tij dhe narkotikët aty. Kështu, transporti i narkotikëve në Serbi u pengua nga ndërhyrja e Policisë.

Me këto veprime, ato akuzohen se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragarfi 2 lidhur me paragrafin 3, lidhur me nenin 31, po ashtu lidhur me nenin 275, paragrafi 1, pika 1.3 dhe 1.9 të Kodit Penal.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, Mexhaid Qerimi akuzohet se më 9 shkurt 2022, rreth orës 21:00, në fshatin Konushevc, Komuna e Podujevës, me qëllim për t’iu shmangur arrestimit, sulmoi zyrtarin policor Arben Elshani, në momentin kur ai i dha shenjë për ta ndaluar automjetin, i akuzuari vazhdoi lëvizjen me qëllim goditjeje, duke e përplasur me makinën e tij, me të cilën i shkaktoi lëndime trupore.

Me këtë, Qerimi akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Tutje, i akuzuari Xhenan Shala, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, akuzohet se më 11 mars 2022, rreth orës 21:50, në fshatin Brezne, Komuna e Dragashit, ka poseduar në shtëpinë e tij 399.24 gram marihuanë, një peshore elektronike për matjen e narkotikëve, 85 qese najloni të zbrazura dhe një foli plastike.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragarfi 1 të Kodit Penal.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-