E diela, ditë vendimtare për komunat – qytetarët votojnë për pushtetin lokal

Opoja.net Opoja.net Kosova
Të dielën, më 12 tetor 2025, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin lokal. Këto zgjedhje përbëjnë një moment të rëndësishëm demokratik, ku qytetarët kanë mundësinë të vendosin për udhëheqësit e komunave të tyre, përfshirë kryetarët e komunave dhe asamblistët komunalë.

Procesi zgjedhor pritet të nisë në orët e hershme të mëngjesit dhe do të zgjasë gjatë gjithë ditës, deri në mbylljen e vendvotimeve, transmeton Telegrafi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të qetë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025 do të hapen gjithsej 38 Qendra Votimi për votim me kusht, të shpërndara në të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas njoftimit të KQZ-së, në këto qendra do të funksionojnë gjithsej 54 vendvotime, të dedikuara për votuesit që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të votojnë në vendvotimin e tyre të rregullt.

Votimi me kusht në zgjedhjet lokale është i lejuar vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi, dhe realizohet në qendrën e veçantë për votim me kusht të caktuar nga KQZ.

E drejta për të votuar me kusht u mundësohet vetëm votuesve që janë të regjistruar në listën votuese, por që për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin që u takon sipas adresës.

Po ashtu, edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 12 tetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.

“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.

Një plan operativ për zgjedhjet e 12 tetorit e ka bërë edhe Policia e Kosovës.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt takim zyrtar lidhur me planifikimet dhe angazhimin e Policisë në zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet lokale2025”, të cilat do të mbahen me datën 12 tetor 2025.

Në këtë takim kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë, në krye me drejtorin e Përgjithshëm ë PK-së kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët e departamenteve si dhe udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja, KFOR-i, EULEX-i, OSBE-ja, zyra e BE-së në Kosovë etj.

Të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore, në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Ndryshe, në anën tjetër, disa subjekte politike e kanë përmbyllur tashmë fushatën zgjedhore, duke shpalosur platformat e tyre dhe prezantuar kandidatët që garojnë për udhëheqjen e komunave. Fushata është karakterizuar nga takime me qytetarë, prezantime publike dhe premtime për zhvillim në nivel lokal.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-