Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës, z. Bexhet Xheladini, Qeveria Komunale ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku u diskutuan disa pika të rëndësishme të rendit të ditës që lidhen me investimet kapitale, buxhetin dhe funksionimin e institucioneve komunale.
Në këtë mbledhje, organet mbikëqyrëse raportuan për ecurinë e projekteve kapitale, ku inxhinierët komunalë prezantuan progresin dhe sfidat në terren. Po ashtu, Zyra e Financave (ZKF) bëri një përmbledhje të detajuar të shpenzimeve buxhetore për periudhën raportuese.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua furnizimit me naftë për institucionet komunale, si dhe pajisjes së automjeteve të Komunës me mjete dimërore, me qëllim gatishmërinë dhe funksionimin e tyre gjatë sezonit të ftohtë.
Në pikën e ndryshme të mbledhjes, Kryetari Xheladini njoftoi për mjetet që pritet t’i sigurojë Komuna nga Granti i Performancës, i cili edhe këtë vit është fituar nga niveli qendror. Parashikimet tregojnë se vlera e grantit mund të arrijë deri në 1.4 milion euro.
Me këto mjete, në kuadër të investimeve të përbashkëta, planifikohet blerja e pajisjeve dhe mjeteve të rëndësishme për nevojat komunale, përfshirë:
- një sibirkë për hapjen e rrugëve nga bora,
- një cisternë për Njësinë e Zjarrfikësve,
- dy kombibusë për transportin e pacientëve të dializës,
- një minikamion 4×4 për mbeturinat e amvisërisë në fshatrat malore.
Po ashtu, parashihet realizimi i projekteve infrastrukturore, si asfaltimi dhe zgjerimi i rrugës Dragash – Shajne, së bashku me parkingje anësore, si dhe rregullimi i Rrugës së Varrezave në Dragash.
Sipas ndarjes buxhetore, nga mjetet e mbetura, 60% do të investohen në pjesën e Opojës dhe 40% në pjesën e Gorës, duke siguruar një shpërndarje të balancuar të investimeve në të dy rajonet e komunës.
Kryetari Xheladini theksoi se planifikimi i kujdesshëm dhe përdorimi efikas i këtyre mjeteve është me rëndësi të veçantë, me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Komuna do të publikojë detaje të mëtejshme sapo të konfirmohet zyrtarisht shuma dhe alokimi i grantit nga niveli qendror.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

