Dhunë brutale në Restelicë – burri recidivist arrestohet pasi rrah bashkëshorten

Opoja.net Opoja.net Opoja

Një tjetër rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar sot në fshatin Restelicë të Dragashit, ku një grua është rrahur nga bashkëshorti i saj, ndërsa alarmi është dhënë nga djali i mitur i çiftit.

Ngjarja ka ndodhur më 08.02.2026, rreth orës 13:00.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se rreth orës 13:00, Policia është njoftuar përmes telefonit nga djali i mitur i viktimës, i cili ka raportuar se babai i tij, F. H, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, H.H.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore janë angazhuar në terren, ndërsa viktima është dërguar fillimisht për trajtim mjekësor në QKMF Dragash. Pas trajtimit, ajo është intervistuar në prani të punëtorit social nga QPS Dragash, ku ka deklaruar se dhuna nga bashkëshorti ka qenë e vazhdueshme.

Sinjali mëson se i dyshuari është recidivist i veprës penale “Dhunë në familje”, fakt që e rëndon edhe më tej pozitën e tij juridike.

Pas intervistimit të palëve, rasti është konsultuar me Prokurorin kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për veprën “Dhunë në familje”, ndërsa ndaj F. H është nxjerrë aktvendim për ndalim 48-orësh.

I dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-