Dragash: Aktakuzë për mashtrim me fotokopjuesit e shkollave

Opoja.net Opoja.net Opoja

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj B.P. dhe personit juridik “B. Sh.P.K.”, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurimin publik”, lidhur me një kontratë për furnizimin e shkollave të Komunës së Dragashit me aparate fotokopjuese.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri B.P., në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “B. Sh.P.K.”, dyshohet se ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë realizimit të kontratës me titull “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla KK Dragash”.

 

“Me datë 22.12.2023 në Dragash, i pandehuri B.P., në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik ‘B.Sh.P.K.’, dyshohet se me qëllim ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke mos i zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata publike me titull ‘Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla KK Dragash’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Organi i akuzës bën të ditur se gjatë realizimit të kontratës nuk janë dorëzuar pajisje të reja, siç ishte paraparë në dokumentacionin kontraktues.

“Gjatë realizimit të kontratës, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit, siç ishte paraparë me kontratë, janë dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara, përkatësisht aparate të vjetra të servisuara në të cilat janë vendosur pajisje të reja shpenzuese”, thekson Prokuroria.
Sipas aktakuzës, këto veprime kanë shkaktuar pasoja financiare për Komunën e Dragashit, pasi pajisjet e furnizuara nuk kanë karakteristikat dhe jetëgjatësinë e pajisjeve të reja.

“Me këto veprime, Komunës së Dragashit i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët përdorimi, kërkojnë më shumë mirëmbajtje dhe mund të krijojnë kosto shtesë krahasuar me pajisjet e reja”, thuhet më tej në njoftim.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj personit juridik “B. Sh.P.K.”, në cilësinë e operatorit ekonomik fitues të kontratës, për të njëjtën vepër penale.

Ndërkaq, prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-