Banorët e fshatit Mlike të Dragashit, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me hedhjen e paligjshme të mbeturinave në hyrje të fshatit, duke thënë se hapësira është shndërruar prej kohësh në një deponi të egër.
Sipas banorëve, në këtë lokacion po hidhen vazhdimisht mbeturina ndërtimore dhe shtëpiake, përfshirë mobilje të vjetra, plastikë, qese me mbeturina dhe materiale të tjera të ndryshme, ndërsa sasia e tyre po rritet çdo ditë.
Ata theksojnë se, ndonëse në atë zonë ekziston një tabelë që ndalon hedhjen e mbeturinave, disa persona vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme duke injoruar paralajmërimet dhe rregullat.
Banorët thonë se problemin e kanë ngritur disa herë tek institucionet përgjegjëse, por sipas tyre deri më tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete për largimin e mbeturinave dhe parandalimin e krijimit të mëtejshëm të deponisë ilegale.
Sipas tyre, përveç ndotjes së ambientit, kjo situatë po dëmton edhe pamjen e fshatit, duke krijuar një imazh negativ për vizitorët dhe kalimtarët që hyjnë në këtë zonë.
Banorët kanë kërkuar reagim urgjent nga institucionet kompetente për pastrimin e hapësirës dhe marrjen e masave që do të ndalonin hedhjen e mëtejshme të mbeturinave në hyrje të fshatit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

