Komuna e Dragashit ka njoftuar se kanë përfunduar me sukses dy projekte infrastrukturore dhe të përmirësimit të hapësirave publike, të realizuara në kuadër të Programit LEADER – Masa 5, nga Grupi Lokal i Veprimit (GLV) “Bio Sharri”.
Projekti i parë ka të bëjë me ndërtimin e një ure në fshatin Kosavë, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe përmirësimit të infrastrukturës lokale.
Ndërkaq, projekti i dytë përfshin vendosjen e 10 ulëseve dhe 10 shportave për mbeturina në sheshin “Adem Jashari” në Dragash, me synim krijimin e një ambienti më të përshtatshëm dhe funksional për qytetarët.
Sipas njoftimit të Komunës, këto projekte janë financuar 80 për qind nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), ndërsa 20 për qind nga Komuna e Dragashit.
Komuna e Dragashit ka shprehur mirënjohje për MBPZHR-në dhe GLV-në “Bio Sharri” për bashkëpunimin dhe kontributin në realizimin e këtyre projekteve, të cilat synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve në interes të qytetarëve. /Telegrafi/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

