Ndërtimi i tunelit që do të lidhë Prizrenin me Tetovën dhe rivendosja e linjës hekurudhore Prishtinë-Shkup kanë qenë ndër çështjet e diskutuara në takimin mes presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, dhe presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.
Takimi është zhvilluar të premten në Ohër, në kuadër të mbledhjes së liderëve të iniciativës rajonale Brdo-Brijuni.
Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, gjatë takimit është vlerësuar bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe dinamika pozitive e marrëdhënieve politike, diplomatike dhe ekonomike.
“Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i mirë ndërmjet dy vendeve dhe dinamika pozitive e marrëdhënieve politike, diplomatike dhe ekonomike. Presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe përkrahjen reciproke në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale. Në këtë kontekst, Presidentja vlerësoi rritjen e shkëmbimeve tregtare, përmirësimin e bilancit tregtar dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Presidentja Shiroka Pula përshëndeti vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe fillimin e punimeve në autostradën Shkup–Bllacë. Ajo theksoi rëndësinë e përfundimit të procedurave për ndërtimin e tunelit që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe të përpjekjeve për rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë–Shkup”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

