Gjyqtarja Sabaheta Kurteshi ka dalë në pension më 22 nëntor, pas më shumë se 25 vjetësh përvojë pune dhe kontributi në sistemin e drejtësisë.
Gjatë karrierës së saj, Kurteshi ka ushtruar disa detyra në Gjykatën në Dragash. Nga viti 2000 ka shërbyer si kryetare e Gjykatës për Kundërvajtje në Dragash, ndërsa në periudhën 2010–2013 ka qenë kryetare e Gjykatës Komunale.
Më pas, nga viti 2013 deri më 2021, ajo ka ushtruar detyrën e gjyqtares mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Prizren – Dega në Dragash.
Me rastin e pensionimit të saj, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, gjyqtarët dhe stafi administrativ e kanë falënderuar Kurteshin për kontributin dhe angazhimin shumëvjeçar në institucionet e drejtësisë, duke i uruar shëndet dhe pensionim të mbarë.
Gjykata ka vlerësuar përkushtimin dhe punën e saj profesionale, përmes së cilave ka lënë gjurmë në veprimtarinë e këtij institucioni.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

