Ditari i Kuranit… Këshillat e arta në suren zuhruf

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Zuhruf, do të thotë ar dhe xhevahir. Ky emër nuk i është vendosur për shkak se në përmbajtjen e saj flitet për këto gjëra të çmuara apo sepse Allahu e çmon njeriun sipas vlerës materiale që posedon, por sepse aty bëhet fjalë për faktin se Allahu e çmon njeriun në bazë të besimit dhe sjelljeve të tij.

Ajetet që do të japim këtu, fillojnë me përgjigjen që i jepet pretendimit të idhujtarëve, të cilët thanë: “Sikur t’i kishte zbritur ky Kuran ndonjë njeriu të madh prej njërit nga këto dy qytete!” (Zuhruf, 31)

Allahu i Madhëruar urdhëron: “Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën e Zotit tënd? Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, duke i ngritur disa në shkallë më lart mbi të tjerët, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve. Mëshira e Zotit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata. Nëse (nuk do të kishte rrezik që) njerëzit nuk do të bëheshin një bashkësi mohuesish (duke i pasur zili ata), Ne do t’i bënim prej argjendi çatitë e shtëpive të atyre që nuk besojnë në të Gjithëmëshirshmin, madje edhe shkallët nëpër të cilat ngjiten, edhe dyert e shtëpive të tyre, edhe divanet në të cilat mbështeten, dhe (do t’u jepnim) stoli prej ari. Por të gjitha këto janë vetëm kënaqësi të kësaj jete, kurse jeta tjetër te Zoti yt është për punë drejtët që ruhen (nga gjynahet dhe nga dënimi i Allahut).” (Zuhruf, 32-35)

Disa prej idhujtarëve thanë: “A nuk duhet t’u kishte zbritur ky Kuran njerëzve si Uelid b. Mugires prej fisit të kurejshëve, ose Ebu Amr b. Umejre prej fisit të thakifëve?” Kjo është edhe arsyeja e zbritjes së ajetit të mësipërm. Është e vërtetë që i Dërguari i Allahut (a.s.), e humbi babanë pa ardhur ende në jetë, ndërsa nënën kur ishte ende shumë i vogël dhe nuk ishte i pasur. Por, ai ishte më fisniku prej tyre në aspektin e prejardhjes. Në fakt, Allahu i Madhëruar e di shumë mirë se kë e ngre në gradë të larta shpirtërore siç është profecia dhe kujt i jep mundësi materiale si pasuri dhe pozitë. Ai e di mirë edhe kë do të privojë prej këtyre. Dhurimi dhe privimi në këto çështje, janë gjëra që i përkasin fuqisë së Allahut. Nisur nga kjo, Ai disa prej njerëzve i bën të pasur, e disa të tjerë i lë të varfër. Disave u jep fuqi, famë dhe dije, e disa të tjerë i privon prej këtyre gjërave, me qëllim që njerëzit të marrin role të ndryshme. Të gjitha këto janë pjesë e menaxhimit dhe urtësisë së Allahut.

Në ajet, përdoret shprehja: “Nëse nuk do të kishte rrezik që njerëzit të bëheshin të gjithë mohues, Allahu do t’u jepte mohuesve pasuri të mëdha”. Në fakt, Allahu i Madhëruar nuk u jep të gjithëve pasuri dhe pozita të larta. Midis njerëzve do të ketë edhe shumë të varfër. E megjithatë, kjo gjendje është mëshirë për njerëzit. Me qëllim që njerëzit të mos priren drejt mohimit të Allahut kur të shohin se të gjithë mohuesit janë të pasur, Allahu nuk i ka bërë ata të barabartë në pasuri.

Për sa u përket besimtarëve, edhe ata nuk kanë një pasuri të tillë në këtë botë, gjë e cila mbështetet po ashtu në urtësinë e Allahut. Nëse të gjithë besimtarët do të kishin mundësi të arrinin mirësitë e kësaj bote, besimi i njerëzve mund të mos ishte për hir të Allahut, por do të kishte si synim arritjen e mirësive dhe pasurive të kësaj bote. Dhe e gjitha kjo, do të ishte në kundërshtim me përgjegjësinë e njeriut për ta pranuar fenë e Allahut me sinqeritet të plotë.

Shkurtimisht, është shumë e natyrshme që prej të dyja grupeve (besimtarë dhe jobesimtarë) të gjenden të pasur dhe të varfër. E megjithatë, mbase për shkak se ata nuk njohin kritere si hallall-haram, e mbase edhe në sajë të ndonjë urtësie tjetër hyjnore, mohuesit që kanë standard më të lartë jetese në këtë botë, janë më të shumtë në numër në krahasim me besimtarët me të njëjtat standarde jetese. Por lidhur me këtë, në një ajet fisnik urdhërohet: “E ti (o Muhamed) mos u mashtro nga bredhja e jobesimtarëve nëpër botë!” (Al-i Imran, 196) Ndërsa vetë i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Nëse kjo botë do të kishte vlerë tek Allahu sa krahu i një mushkonje, Allahu nuk do t’u jepte mohuesve qoftë edhe një gllënjkë ujë.” (Tirmidhi, Zuhd, 13.) Ky hadith fisnik, duhet gdhendur në mendjet e të gjithë besimtarëve, me qëllim që ata të kuptojnë mirë se çfarë është me të vërtetë e çmuar dhe që të pranojnë me kënaqësi ndarjen që bën Allahu.

Ibn Abbasi (r.a.), ka një shprehje që e përmbledh të gjithë këtë çështje: “Allahu e ka ndarë këtë botë në tri pjesë. Njërën ia ka dhënë besimtarëve, njërën dyfytyrëshve dhe njërën mohuesve. Prej pjesës së kësaj bote, besimtarët përgatisin veten për botën tjetër, dyfytyrëshit zbukurohen, ndërsa mohuesit vazhdojnë jetën e tyre.” (Ihjau Ulumi’d-Din, V. 3, fq. 453.)

Tani mund të themi:

Njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm se është rob dhe nuk duhet të shpenzojë fjalë që i kalojnë kufijtë duke i besuar kritereve të vlerave që nuk çmohen tek Allahu. Kjo, sepse ndarja e furnizimit/pasurisë, është në dorë të Allahut të Madhëruar. “Allahu ia shton furnizimin kujt të dojë dhe ia pakëson kujt të dojë…” (Ra’d, 26)

Gjithashtu, edhe caktimi i prejardhjes nuk është në dorë të njeriut. Nisur nga kjo, ajeti në fillim të shkrimit, është përgjigja më kuptimplote që ua mbyll gojën mohuesve. Dhe këtu, qëllimi nuk është të tregohet një ndodhi që ka ngjarë atë ditë. Përkundrazi, kjo është një analizë karakteri. Për rrjedhojë, edhe mohuesit në ditët tona, lazdrohen në të njëjtën mënyrë me mundësitë që u janë dhënë -pa e ditur se i zotërojnë për t’u sprovuar- dhe guxojnë të zgjasin gjuhët e tyre ndaj të Dërguari të Allahut (a.s.), duke ndërhyrë vazhdimisht në punët e fesë dhe të kësaj bote të myslimanëve, të cilët konsiderohen si trashëgimia shpirtërore e tij.

Në këtë rast, ajo që duhet të bëjnë besimtarët, është të kontrollojnë zemrën e tyre nëse kanë qoftë edhe një grimcë admirimi ndaj jetës që bëjnë mohuesit, sepse ky lloj admirimi, hap derën e rrezikshme që çon në përngjasimin e tyre. Ndërsa përjetimi i maturisë së kësaj feje të lartë, fillon me ruajtjen e zemrës.

Lexo/Mendo!

Shiko çfarë ha!

Në suren Abese gjendet një përkujtim shumë interesant: “Le të shohë njeriu ushqimin e vet!” (Abese, 24) Pra, njeriu duhet ta shohë me syrin e urtësisë ushqimin që merr për të ngrënë, e mbase edhe çdo gjë që përdor dhe konsumon. Le të mendojë se prej nga vijnë mirësitë që janë burim i jetës së tij.

Në vazhdim të këtij ajeti fisnik, urdhërohet: “Jemi Ne që lëshojmë ujë me bollëk, pastaj e çajmë tokën në thellësi dhe nxjerrim prej saj drithërat, rrushin e perimet, ullirin e palmat, kopshtet e dendura, pemët dhe gjithë barërat, që t’i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.” (Abese, 25-32)

Sa përkujtim madhështor është ky për njeriun i cili lazdrohet së tepërmi me kalimin e kohës -siç ndodh edhe në kohën tonë-! Edhe sa i butë është ky përkujtim! O njeri pa mendo njëherë! Nëse ky sistem hyjnor nuk do të funksiononte në këtë mënyrë pa të meta, çfarë mund të bëje ti për të jetuar? Çfarë mundësish ke?

Disa dijetarë, këtë ajet e kanë interpretuar në kuptimin, “të bëjë kujdes nëse ajo që ha është hallall apo haram!”. Ndërsa Ibn Abbasi (r.a.), e ka interpretuar duke u shprehur se: “Njeriu duhet të shohë se në çfarë shndërrohet ushqimi që ha, me qëllim që ta krahasojë me pafuqinë e vet dhe përkohshmërinë e jetës së tij”.

Një person, i tha Ibn Omerit (r.anhuma):

– Më fal, dua të të pyes diçka, por kam turp!

– Pyet mos ki turp! – i thotë Ibn Omeri.

– A e sheh njeriu jashtëqitjen e vet?

– Po! Një melek i thotë njeriut: “Shiko përfundimin e ushqimit për të cilin tregohesh koprrac! Shiko si bëhet!” (Ihjau Ulumi’d-Din, V. 3, fq. 487.)

Le të mendojmë pak! A ka ndonjë përkujtim më të urtë se sa, “Le të shohë njeriu ushqimin e vet!”, me qëllim që ai të jetojë i vetëdijshëm dhe të mos mashtrohet me pamjen e sendeve?

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-