Auditori i Përgjithshëm, në raportin e publikuar për Komunën e Dragashit, ka gjetur mangësi në depozitimin e parave të gatshme të imëta në llogari përkatëse të autorizuara. Kjo hedh dyshime për keqpërdorim të parasë publike nga zyrtarët përgjegjës të njësive dhe departamenteve përkatëse.
Shuma prej 572.50 euro e cila ishte grumbulluar në QKMF të Dragashit nga muaji maj deri në muajin korrik të vitit 2018, ishte deponuar në llogari me datën 3 gusht të atij viti, megjithëse “Rregullorja financiare për të hyrat 03/2010 përcakton që të hyrat e grumbulluara në formë të parasë së gatshme në arkë (në shumën 10€), deri në fund të ditës duhet të depozitohen në llogari përkatëse të autorizuara.”
Vonesat në depozitimin e parasë së gatshme kishin zgjatur prej tri ditë deri në tre muaj.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se “depozitimi i vonuar i parasë së grumbulluar në arka rritë rrezikun e keqpërdorimit të parasë publike. Kjo shpie të raportimi jo i drejt i periudhës kohore të grumbullimit të të hyrave përkatëse, dhe përveç kësaj, një praktikë e tillë nuk është në pajtueshmëri me kërkesat e legjislacionit në fuqi.”/Opoja.net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.