Gjatë gërmimeve dhe ekshumimeve në një lokacion të dyshuar në Zubin Potok, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë gjetur mbetje kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Sipas vlerësimit preliminar të mjeko-ligjorëve, mbetjet janë gjetur gjatë veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit që po zhvillohen në kuadër të hetimeve për këtë rast.
Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale.
Aktualisht, për këtë rast po hetohen tre persona, Momir Jakšić, M.J. dhe Miljko Biševa, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të dyshuarit ndodhen në paraburgim.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë deklaruar se do të vazhdojnë procesin në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të dokumentuar, me respekt për viktimat dhe familjet e personave të zhdukur.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

