Kanë mbetur edhe 17 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Por, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara të 14 shkurtit të këtij viti, zgjedhjet e 17 tetorit do të organizohen më ndryshe.
Kjo pasi, që nga muaji mars në vend ka filluar procesi i vaksinimit kundër Covid-19.
Ka kohë që në Kosovë janë ndërmarrë masa kundër përhapjes së Covid-19, pasi që numri i të vdekurve dhe i të infektuarve në muajin gusht ka arritur në shifra të larta.
Pikërisht, për këtë edhe subjektet politike kanë vendosur që fushatën ta zhvillojnë më ndryshe, duke u fokusuar më shumë në mënyrë virtuale.
Ndërsa, nga e hëna këto masa janë zbutur, mirëpo certifikata e vaksinimit e po ashtu edhe testet për Covid-19 po kërkohen pothuajse në çdo institucion.
Por a do të lejohet të votojnë qytetarët pa certifikatë të vaksinimit në Qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve?
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në pyetjet e redaksisë ka thënë se votuesve do t’u lejohet të votojnë edhe nëse nuk janë të vaksinuar apo nuk posedojnë test jo më të vjetër se 72 orë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar apo se kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19”, ka thënë për Front Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Por KQZ-ja kërkon nga votuesit ditën e zgjedhjeve që të respektojnë distancën prej 2 metrave, si dhe të mbajnë maskë.
“Sipas udhëzimit të KQZ-së, votuesit duhet të mbajnë distancën fizike 2m gjatë kohës sa janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit. Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit. Në vendvotim do të vendosen edhe dezinfektuesit, të cilët do t’i shërbejnë votuesve për t’i dezinfektuar duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit”, kanë Elezi për Front Online.
Kurse nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se do të ndihmojnë me udhëzues përkatës por që nuk kanë ndonjë rekomandim që të u ndalohet votimi personave të pa vaksinuar.
“Zgjedhjet mbahen muajin tjetër. Deri atëherë, MSh do ta ndihmoje me udhëzues përkatës KQZ lidhur me zbatimin e masave anticovid-19 gjate procesit zgjedhor”, kanë thënë nga MSh-ja.
Kujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 tetor 2021, kurse fushata ka filluar me 16 shtator dhe do të zgjas një muaj./FrontOnline
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.