Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë lansuar fazën e dytë të projektit INTERDEV, për gjenerim të punësimit dhe të zhvillimit territorial të Integruar në nivel lokal.
Gjatë tre vjetëve të fundit, Projekti Gjenerim i Punësimit dhe Zhvillim Territorial i Integruar në Nivel Lokal (INTERDEV) është duke ndihmuar banorët e Dragashit dhe Shtërpcës të aftësohen për punë dhe të punësohen, rrisin produktivitetin e fermave të vogla rurale dhe bizneseve dhe përmirësojnë shërbimet publike lokale, transmeton Koha.net.
Me ndihmën e projektit janë punësuar 750 gra dhe burra që, rrjedhimisht, ka përmirësuar jetesën e më shumë se 2600 anëtarëve të familjeve si dhe është ngritur dhe përmirësuar kualiteti i 325 ndërmarrjeve të vogla rurale që shesin prodhime të ndryshme si mjedra, domate, mjaltë, apo mish dhe qumësht dhie alpine.
Për më tepër, më shumë se 900 pronarë të bizneseve lokale, fermerë, prodhues, dhe anëtarë të shoqërisë civile tanimë kanë njohuri dhe aftësi më të mira në fusha të ndryshme të bujqësisë, zhvillimit rural dhe ekonomik dhe teknikave bujqësore dhe të prodhimit që janë në mbrojtje të mjedisit.
Duke ditur se ky projekt ka arritur të adresojë disa nga sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët, jo vetëm në komunat ku është implementuar projekti, por në tërë Kosovën në përgjithësi – si niveli i lartë dhe papunësia afatgjatë, shërbimet e dobëta publike, si dhe përjashtimi socio-ekonomik i grave , të rinjëve dhe grupeve tjera të rrezikuara – Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë lansuar fazën e dytë të projektit INTERDEV.
Kjo vazhdimësi u zyrtarizua sot, më 8 shkurt 2017, nga shefi i Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) për Kosovë, z Gunther Zimmer, dhe Përfaqësuesit të Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Koordinatorit të OKB-së për Zhvillim, Z. Andrew Russell. Kjo iniciativë do të implementohet nga shkurti i vitit 2017 deri në janar të vitit 2020.
Gjatë kësaj kohe, INTERDEV 2 do të vazhdojë të shërbejë fermerët e vegjël lokal, iniciativat për mikro biznese, banorët, gratë, të rinjtë, komunitetet pakicë dhe personat me aftësi të kufizuar që janë të papunë për një kohë të gjatë, me kualifikime të ulta ose krejtësisht pa to. Më shumë se 700 gra dhe burra mbi numrin e tanishëm, nga komuna e Dragashit, Shtërpcës dhe tani edhe Vitisë, si komunë e re partnere e projektit, do të punësohen dhe mbi 3800 njerëzve do t’u përmirësohet jetesa.
Që të dy projektet, INTERDEV 1 dhe 2 janë bujarisht të financuara nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), si dhe komunat partnere të projektit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.