“Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (Huxhurat, 10)
“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në sajë të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.”(Al Imran, 103)
“O robërit e Allahut! Bëhuni vëllezër!” “Të gjithë ju jeni fëmijët e Ademit. Ndërsa Ademi është prej dheut. Arabi nuk ka ndonjë epërsi kundrejt atij që nuk është arab.” (Muhamedi s.a.s.)
“Njerëzit ose janë vëllezër me ty në fe, ose në krijim.” (Aliu r.a.)
Ah sikur ta kapnim për dore të Dërguarin e Allahut (s.a.s.)!.. Ai i bashkoi arabët dhe ata që nuk ishin arabë! Ai i bënte vëllezër njerëzit e zinj me njerëzit e verdhë. Ai i vëllazëronte edhe njerëzit e vendeve më të largëta…
Vëllazëria është emocioni për t’u kapur përsëri pas litarit të Allahut Teala të gjithë së bashku. Vëllazëria është që duart të zgjaten te litari i Allahut (xh.sh.). Vëllazëria është emocioni për t’u bashkuar nën Livau’l-hamdi (Flamuri nën të cilin do të mblidhet umeti i Muhamedit (s.a.s.), në Ditën e Gjykimit). Vëllazëria është përpjekja që të gjithë t’i paraqesin xhenetin njëri-tjetrit. Vëllazëria është aksioni për t’u ngopur te burimi i Kuranit Fisnik të gjithë së bashku. Çfarë mund të jenë tjetër myslimanët përveçse vëllezër? Si mund të jetë dhimbja e një myslimani gëzim për një mysliman tjetër? Si të mos i dhembë zemra myslimanit, kur një mysliman tjetër ndjen dhimbje? Si mund ta lënë pa përgjigje myslimanët thirrjen e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: “O robërit e Allahut! Bëhuni vëllezër!” Nëse kjo thirrje ka ngelur pa përgjigje, atëherë si mund ta shohim në fytyrë Ditën e Gjykimit përgjatë tubimit të madh të Dërguarin e Allahut (s.a.s.)?
Atëherë, le t’i drejtohemi Allahut Teala! Le të kapemi për litarin e Allahut (xh.sh.). Le ta kapim për dore të Dërguarin e Allahut (s.a.s.)! Le të pimë nga burimi i Kuranit Fisnik! Le të bëhemi të mëshirshëm! Le të bëhemi të dashur! Le t’i duam vëllezërit! Le ta shporrim urrejtjen nga jeta jonë! Le ta shporrim zemërimin! Le ta pastrojmë gjuhën nga përgojimi! Të mos i vrasim vëllezërit nga brenda! Të mos e përtypim mishin e vëllezërve tanë! Ja, e shikoni sa rëndë që na erdhi? Andaj të mos shajmë dhe ofendojmë! Të mos ua thyejmë dinjitetin të tjerëve! Të mos i përlyejmë duart me gjakun e asnjë besimtari, ndërkohë që nuk është e lejuar të lëndojmë qoftë edhe një milingonë!.. Si mund t’i derdhet gjaku njeriut? Si mund të vriten fëmijët? Si mund të nëpërkëmbet dinjiteti i njerëzve?
Le ta shikojmë një herë zemrën tonë! Allahu e ka bërë atë që ta dojë vëllain besimtar… A është akoma e tillë? A akoma mbart ndopak gjallëri nga mëshira dhe dashuria e Allahut? Mos vallë e ka zënë i ftohti i stinëve larg të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)? Allahu Teala na e ka shpëtuar zemrën nga të shndërruarit e saj në një gropë zjarri. Prandaj, le ta shohim zemrën, mos vallë është shndërruar përsëri në gropë zjarri. Për këtë arsye, le të duam, le të falim dhe le të heqim dorë nga gjërat që nuk na duhen! Kjo botë nuk është e përhershme. Andaj, le të mbetet dashuria dhe vëllazëria për botën e përhershme!
Ah sikur t’i kishte prekur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), të gjitha zemrat një nga një! Ah sikur të frynte flladi i Muhamedit (a.s.), në horizontet e lindjes dhe perëndimit! Ah sikur ta rrethonte të gjithë gjeografinë islame zemra e Rasulull-llahut! Madje, të gjithë universin dhe të gjitha zemrat e njerëzve!.. Në këtë mënyrë do të ndërtohej civilizimi i dashurisë në të gjithë universin.
Për këtë arsye, le të mërdhimë bashkë me ata që mërdhijnë! Le të digjemi me ata që digjen! Le të kemi uri bashkë me ata që kanë uri! Le t’i ndajmë dhimbjet, në mënyrë që të pakësohen! Le t’i ndajmë gëzimet, në mënyrë që të shtohen! Le të mbartim mirësi kudo që të shkojmë! Le të bëhemi mëshirë në çdo vend ku të gjendemi! Le të mos mashtrojmë asnjë! Le t’ia dimë vlerën vëllazërisë, nëse jemi vëllezër!
Vëllazëria është çështje ligjesh. Këto ligje i ka vendosur Allahu (xh.sh.). Me këto ligje ka jetuar edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ne jemi umeti i një Pejgamberi që i ka dashur edhe malet e gurët, që ka dashur Uhudin dhe që ka puthur Haxheru’l-Esvedin / Gurin e Zi dhe që i ka mbrojtur pemët, lulet, zogjtë dhe insektet e Haremit. Përpara kemi Pejgamberin e mëshirës. Ne jemi në gjurmët e një zemre sublime që i pranoi për vëllezër edhe ata që i vranë më të afërmit dhe që i shkulën mushkëritë xhaxhait të tij… Prandaj, le ta përshtatim zemrën me zemrën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)!..
Le të mos e shenjtërojmë fisin tonë! Le të mos e shenjtërojmë racën tonë! Le të mos e shenjtërojmë ngjyrën tonë! Le të mos i shenjtërojmë fëmijët, pasurinë dhe pronën tonë!
Arabi nuk ka ndonjë epërsi kundrejt atij që nuk është arab. Epërsia është vetëm në devotshmëri ndaj Allahut Teala. Epërsia është në humanizëm. Për këtë arsye, le të mos e vendosim pushtetin e kësaj bote para vëllazërisë! Le të mos rrahim, të mos ofendojmë dhe të mos shajmë! Le ta frenojmë zemërimin! Le të mos e ndyjmë zemrën me urrejtje! Le të mos bëjmë padrejtësi! Le ta lëmë smirën! Le ta lëmë mendjemadhësinë! Le të mos përçmojmë dhe ulim askënd! Le të mos luajmë me të drejtat e vëllezërve qoftë edhe me shenjat e syve apo të vetullave! Le ta lëmë xhelozinë! Le ta lëmë armiqësinë e mërinë! Le të mos debatojmë me askënd! Kurrë të mos shpifim! Le të mos e cenojmë pasurinë, jetën dhe nderin e asnjë njeriu! Le t’i mbrojmë duart dhe gojën tonë! Të mos e lejojmë nefsin që të shkelë dinjitetit e asnjë njeriu! Të mos e lëndojmë dinjitetin e ndonjë shoqërie apo populli!
A mund t’ia marrim hallallëkun një populli të madh? A mund ta paguajmë borxhin e një populli? Çfarë do të ndodhë nëse një shoqëri e madhe do të na kapë për fyti Ditën e Mahsherit?.. Cilën urrejtje, cilin zemërim, cilën gënjeshtër, cilën shpifje apo cilin përgojim mund ta justifikojmë në audiencën e Zotit (xh.sh.)? Thoni pra, cilën? Le ta pyesim veten se cilën prej këtyre mund ta justifikojmë! Andaj, le t’i futemi punës dhe ta rregullojmë përsëri gjendjen e zemrës! Le t’i drejtohemi Allahut Teala! Le të kapemi për litarin e Allahut! Aty le të na bashkohen duart me miliarda duar të tjera! Le t’i shikojmë duart tona se me cilat duar janë takuar dhe se cilin litar kanë kapur!
Le të lutemi siç na ka mësuar Krijuesi! Le ta pastrojmë zemrën nga urrejtja kundrejt vëllezërve tanë dhe le të kërkojmë falje për ta! Le ta shkulim nga zemra zemërimin, urrejtjen dhe smirën! Le ta hedhim mërinë! Le të duam për hir të Allahut! Le t’u themi vëllezërve se i duam! Le të lutemi për vëllezërit! Le t’i lutemi dhe t’i përgjërohemi Zotit duke thënë: “O Zoti ynë! “Mos lër urrejtje në zemrat tona kundrejt vëllezërve tanë!” Le të shpëtojmë nga vrasja e vëllezërve brenda nesh dhe nga përtypja e mishit të tyre në gojën tonë! Le të jemi të mëshirshëm kundrejt vëllezërve! Le t’i kërkojmë falje Zotit për ata! Le t’i ndihmojmë ata për t’u pastruar! Le t’i mbartim vëllezërit në zemrën tonë me gjendjen më të pastër të tyre! Le ta ndjejmë dhimbjen e tyre në zemrën tonë!
Le të bashkohemi me ata në atë mënyrë, saqë të formohet një memorial vëllazërie në shkallë universale! Le ta përzëmë shejtanin, le ta frenojmë nefsin dhe le ta lëmë vetëm zemrën që të flasë! Gjithmonë le të flasim me zemër! Atëherë do të shikojmë se si do të shndërrohet kjo botë në një parajsë. Prandaj, le ta kapim për dore të Dërguarin e Allahut (s.a.s.)!
Le ta përjetojmë vëllazërinë! Le ta përjetojmë vëllazërinë! Le ta përjetojmë vëllazërinë!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.