Arkeologët të eksplorojnë trevën e Opojës

Opoja.net Opoja.net Opoja

Në Opojë ekzistojnë tuma (varreza) ilire, muret e fortifikatës ilire, themele kishash iliro-shqiptare, një shtëpi e vjetër 500 vjeçare, monedha bizantine dhe materiale të tjera arkeologjike.

Këto ditë instituti Arkeologjik i Kosovës, drejtuar nga Dr. Sc. Enver Rexha, ka bërë hulumtime arkeologjike në pjesë të ndryshme të Kosovës. Janë eksploruar vende të ndryshme arkeologjike, themele, tuma ilire, varreza të lashta. Ditëve të fundit disa intelektualë nga treva e Opojës (Kosova jugore) i janë drejtuar me kërkesë Institutit Arkeologjik të Kosovës, për të bërë çështë e mundur në eksplorimin e trevës së Opojës.

Kjo trevë shqiptare bën pjesë në skajin jugor të Rrafshit të Dukagjinit, rreth 20 km larg nga Prizreni. Nga pjesa lindore përmes Bjeshkëve të Sharrit kufizohet me Tetovën (Maqedoninë) ndërsa nga perëndimi Mali i Koritnikut e kufizon me Kukësin (Shqipërinë).

Ka një terren kodrinorë – malor dhe një klimë submalore. Lartësia mesatare e vendbanimeve të Opojës është 1105 m. Përbëhet nga fshatrat: Blaçi, Bresana (Brodosana), Brezna, Brruti, Buçja, Buzezi, Bellobradi, Kapra, Kuki, Kuklibegu, Pllajniku, Plava, Renci, Shajna, Kosava, Xërxja, Zapluxhja, Zgatari, Zymi, Qellopeku.

Sqarim i shkurtër rreth disa objekteve arkeologjike në trevën e Opojës/Sot në fushën e Plavës dhe Brrutit, të varrezat e Bojaxhinjve në Llopushnik ekzistojnë themelet rrënuara të fortifikatës ilire, të cilat duken qartë, e që në popull quhet “Hisari”. E cila komunikon me Kalanë e Prizrenit, komunikimi është bërë me tupan ose natën me flakë zjarri. Fatkeqësisht aty ende s’ka prekur dora e arkeologut. Fortifikata është e regjistruar në Hartën Arkeologjike të Kosovës.

Në mesjetë aty ishte e vendosur kazerma e ushtrisë turke deri më 1912. Kështu dëshmon kujtesa historike e banorëve të Plavës. Pas përfundimit të luftës së Kosovës 1999, në afërsi të themeleve, persona të panjohur kanë bërë gërmime klandestine në kërkim të qypave dhe materialeve arkeologjike.

Aty pranë ekziston “Kroi i Hajdutëve” dhe burime uji. Në fushën e Plavës dhe Brrutit, të varrezat e Bojaxhinjve në Llopushnik, në afërsi të “Hisarit” ekzistojnë themelet e “Derven Kullës”, një ndërtese të lashtë. Pas përfundimit të luftës së Kosovës 1999, në afërsi të themeleve, persona të panjohur kanë bërë gërmime klandestine.

Rruga e lashtë e shtruar me kalldrëm dhe çakëll. Rrugë e cila lidhte me Prizrenin, Dibrën, Lumen Jugore, Matin, Opojën, Goren. Edhe sot shihet qartë kalldrëmi. Dhe kjo rrugë kalon nëpër “Hisar”, në fushën e Plavës dhe Brrutit, të varrezat e Bojaxhinjve në Llopushnik.

Themele të lashta ilire vërehen edhe në vendin e quajtur “Gabuja” ose “Krevi i Gabujës”në fshatin Brrut dhe në fshatin Zgatar, të cilat komunikojnë me Kalanë e Prizrenit, për shkak të pozitës gjeografike. Komunikimi është bërë me tupan ose natën me flakë zjarri.

Në të dy këto vende shihen gurët dhe inerte që dëshmojnë themelet e lashta. Përreth aty ekzistojnë istikame të vjetra që quhen “Tabe”, kroje, “Kroi i Luzit”, dhe dy kilometra më poshtë ekzistojnë themele të lashta të vendi i quajtur “Pirro” në afërsi të fshatit Jeshkovë. Në hartat e Ilirisë së lashtë përmendet Gabuleum.

Në Brrut ekziston dhe varri masiv i 46 banorëve të vrarë më 1913 nga ushtria Serbe. Si dhe aty ekziston “Varri i Kabashit”. Kabashi ka qenë një Ballist nga zona e Suharekës dhe është vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sot në fushën e Plavës dhe Brrutit, të varrezat e Bojaxhinjve në Llopushnik, ekzistojnë varrezat e lashta të Bojaxhinjve dhe aty pranë ishte vendbanimi i lashtë.

Sot në fushën e Brrutit ekzistojnë themelet e fshatit të lashtë Pandalavicë, që edhe sot quhet Palavicë, dhe aty ekziston dhe një pus, “bunar”.

Në Zgatar ekzistojnë edhe themelet e “Kullës së Zgatarit”, e cila komunikon me Kalanë e Prizrenit. Në Zgatar ekziston dhe varri monumental, i quajtur “Vorri i madh” në fushën e quajtur “Gjermoni”. Në pamje duket se është varr i krishterë. Aty edhe sot e kësaj dite kryhen rituale të ndryshme nga banorët. Aty bëhet ndezja e qirinjve, vendosen monedha, etj. Pranë atij varri ekzistojnë dhe varre të tjera të vjetra që shihen qartësisht.

Dhe aty pranë ka ekzistuar dhe një kishë e krishterë. Gjurmët e kishës janë “Të Guri Gjermonit”. Të “Vorri i madh” pas përfundimit të luftës së Kosovës 1999, në afërsi të themeleve, persona të panjohur kanë bërë gërmime klandestine në kërkim të qypave dhe materialeve arkeologjike.

Në fushën e fshatit Zgatar ekzistojnë themele të lashta në vendin e quajtur “Kumçar”. Dhe aty shihen qartësisht themel katrore shtëpiash. Dhe aty ka qenë një kishë. Fare pranë aty ka ekzistuar dhe fshati i lashtë i Zinovës.

Në Bellobrad dhe Brrut (Opojë) janë gjetur monedha bizantine të shekullit XII, që dëshmojnë civilizimin dhe tregtinë se në atë kohë bëhej me monedha. Në Bellobrad ekziston vendbanimi i vjetër i “Gostilit”. Aty shihen themelet dhe varret e lashta.

Rrënojat e themeleve të kishës shqiptare shihen “Të Kisha” në fshatin Brrut (gjurmët e kishës të vendi “Arat nërmjet Reke”), ku shihet një grumbull i gurëve inert.

Në fshatin Brrut ekziston toponimi “Guri Kalluxherit”. Vite më parë aty është gjetur një kryq i vjetër i krishterë i farkëtuar. Dhe besohet se aty ka ekzistuar ndonjë kishë ose manastir mesjetar. Derisa para disa vitesh gra të pafata që s’kanë lindur fëmijë si pasojë e sterilitetit, në kërkim të fatit e kanë vizituar “Gurin Kalluxherit”, janë rrëfyer para “Gurit të Kalluxherit” dhe i janë lutur perëndisë që t’iu falë fëmijë.

Të “Gurit i Kalluxherit” gruaja e pafat e vendoste veshin dhe dëgjonte perëndinë tek përkundte djepin. Rituali më pas vazhdonte të Shpella e Zgatarit dhe të “Vorri i Madh në Zgatar.

Në fshatin Xërxë ekziston toponimi “Të Kisha”. Si dhe në Xërxe ekziston toponimi “Livadhi Priftit”. Në fshatin Pllajnik ekziston toponimi “Të kishëza” dhe vite më parë banorët kanë gjetur pjesë të qeramikës me mbishkrime. Sot toponimi ekziston si “Kishëza” dhe “Kisha e Madhe”. Në fshat ekziston gojëdhëna se shtatë metra larg derës së Kishës është i groposur një qyp me lira të arit.

Në fshatin Pllajnik ekziston shtëpia e vjetër pesëqind vjeçare (500 vjet), në lagjen Çengaj të fshatit Pllajnik. Kati i parë i shtëpisë është i vjetër pesëqind vite (500 vite). Shtëpia është e ndërtuar me gur e llaç.

Në brendësi ka dhomat, ka “gropën e kompirave” (gropa ku janë ruajtur papatet brenda shtëpisë), ka pjesën ku është vdjerrë dhe është terur mishi, ka oxhakun. Shtëpia është e braktisur dhe është pronë e familjes Çengaj.
Në fshatin Kosavë ekziston toponimi “Të kisha”.

Ky vend aktualisht është pronë private dhe tokë bujqësore dhe kanë humbur gjurmët e kishës. Por në afërsi janë varrezat e vjetra të krishtera. Vite më parë banorët praktikonin një ritual, nxirrnin nga dheu copëza të eshtrave nga ato varreza të krishtera, dhe e preknin dorën e tyre, kur u shfaqej i ashtuquajturi “ashti i të vdekurit” në dorë. Një komplikim i përkohshëm shëndetësor që shfaqet në dorë ndonjëherë.

Në fshatin Zapluxhë ekziston toponimi “Të Kisha” (afër vendit “Guri i Rrushit”). Deri para ca vitesh aty qartësisht kanë ekzistuar themelet e kishës, por viteve të fundit aty biznesmenë privatë vazhdojnë ta eksploatojnë nxjerrjen e gurëve për biznes. Dhe kanë zhdukur gjurmët e kishës.

Në fshatin Zapluxhë ekziston toponimi “Tumçinë” ku vite më parë janë gjetur stoli argjendi dhe gjurmë të tjera të lashta ilire. Në fshatin Zapluxhë ekzistojnë varreza të lashta mbi fshat rrugës së re drejt Prizrenit.

Në fshatin Buzez ekziston “Namazxhahi”. Një objekt mesjetar fetar. Karakteristikë është se ky objekt fetar mysliman është i ndërtuar nga gurët e gdhendur që zakonisht janë të ndërtuara kishat e krishtera. Në fshatin Shajnë ekziston “Livadhi Priftit” ose “Zabeli Kishës”; Në fshatin Brezne ekziston “Lugi i Kishës”; Në fshatin Kapre ekziston toponimi “Kishat”;Në fshatin Blaç ekziston toponimi “Guri i Priftës” ku vite më parë janë gjetur gjësende të vjetra. Në Blaq ekziston toponimi “Gurra e Priftës” ose “Mëhalla Priftaj”, etj./Opoja.Net/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-