Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Labinot Grudës i dyshuar për rastin e vjedhës së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr aktvendim dhe të pandehurit L.G i ka vazhduar masën e paraburgimit prej datës 18 janar 2021 deri me datë 17 mars 2021”, ka thënë Gashi.
Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte vazhduar paraburgimin Labinot Grudës dhe të dyshuarit tjetër, Kadri Shalës edhe për dy muaj, ku Grudës i ishte vazhduar deri më 18 janar 2021, kurse Shalës deri më 24 janar 2021.
Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit ndodhi në tetor të vitit 2020, ku përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ministrja tashmë në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme, ajo bëri të ditur se nga Thesari i Shtetit ishin “avulluar” më tepër se 2 milionë euro.
Pa dhënë shumë detaje ministrja tregoi se bëhej fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një Operator Ekonomik.
Në anën tjetër Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë ende detaje shtesë se çfarë ka ndodhur me procesin e hetimit për këtë rast.
Telegrafi shumë herë ju ka dërguar pyetje Prokurorisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjëherë përgjigje.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.