Babë e bir janë paraqitur në gjykatën e Prizrenit për t’u përballur me akuzat për vrasjen e trefishtë në Prizren.
Eshref Shemallari dhe Ejup Shemallari akuzohen se më 8 mars 2015, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme, privuan nga jeta Ferdi Shishkon, Haki Thaqin dhe Bergin Ersoyn, të tre nga Prizreni.
Incidenti kriminal, i cili ishte temë e diskutimeve të shumta për shkak të të kaluarës recidiviste të të vrarëve, tashmë ka nisur të gjykohet në Gjykatën e Prizrenit.
Në seancën e sotme avokatët Mahmut Halimi e Betim Shala kanë kërkuar që të hedhet poshtë aktakuza ndaj të pandehurve kërkesë kjo që është kundërshtuar nga prokurori Genc Nixha. Ky i fundit në nisje të seancës u ka paraqitur avokatëve dokumentacionin dhe provat e mbledhura nga prokuroria përfshirë ekzaminimin e në veture “Golf 2”.
Mënyra se si është kryer ky ekzaminim u kritikua nga avokati Mahmut Halimi, i cili dha vërejtje në raport me arsyetimin se nuk është bërë ekzaminimi i mekanizmit të dyerve.
Por, prokurori Nixha tha se ekzaminimi i mekanizmit të veturës nuk ka mundur të bëhet pasi që automjeti i ishte kthyer pronarit të veturës.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Shemallari, avokati Betim Shala, propozoi si provë emisionin “Drejtësia në Kosovë të datës 16 mars 2015, ku ishte trajtuar ngjarja.
Vendimi për vazhdimin e procesit gjyqësor në këtë rast pritet të merret nga gjykatësi i çështjes, i cili sqaroi palët se vendimi do u kumtohet me shkrim.