Besimtari i sinqert nuk tradhton dhe jetën e jep, por premtimin nuk e thyen

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Transmetohet se tek
Haxhxhaxh ibn Jusufi i sollën një grup njerëzish, të cilët kishin ngritur krye
kundër tij, dhe ai urdhëroi që ata të ekzekutoheshin. Pas pak, u dëgjua ezani
për namazin e akshamit, dhe Haxhxhaxhi me njerëzit e tij e filluan faljen e
namazit. Njëri prej rebelëve kishte mbetur gjallë (nuk kishin arritur ta
ekzekutojnë para namazit), dhe Haxhxhaxhi e urdhëron Kutejbe ibn Muslimin që të
kujdesej për të, kurse të nesërmen ta çonte në ekzekutim.

Kutejbe ibn Muslimi
tregon: “Unë e mora atë njeri me vete dhe derisa po ecnim drejt shtëpisë sime,
ai më tha: ‘A dëshiron ta bësh një vepër të mirë?’

‘Çfarë vepre të
mirë?
– e pyeta unë.

Ai më tha: ‘Pasha
Allahun, unë nuk u ngrita kundër Haxhxhaxhit, as nuk e lejova luftën kundër tij
dhe pasuesve të tij, por shiko se në çfarë telashe kam ra. Unë i kam disa
borxhe dhe amanete që dëshiroj t’i paguaj para ekzekutimit! Pra, a do të më
lejosh që të shkoj te familja ime dhe t’ua marr hallallin atyre, t’i kthej borxhet
dhe amanetet e besuara, dhe unë, sigurisht, do të kthehem pasi t’i përfundoj
obligimet e mia!’

Unë nuk iu përgjigja
asgjë, por vetëm qesha me propozimin e tij, duke menduar se ai po përpiqet të më
mashtrojë. Mirëpo, ai nuk hoqi dorë, saqë pas një kohe më tha: ‘Unë e marr
Allahun si dëshmitar dhe të premtoj se do të kthehem sapo ta përfundoj punën!’

Pas këtyre fjalëve
të tij, unë nuk pata forcë ta refuzoja, kështu që i thashë: ‘Në rregull!
Shko kryeje punën tënde dhe kthehu siç më premtove!’

Dhe ai shkoi. Kur ai
u largua, unë i thashë vetes: ‘Çka bëre, o njeri?!’

Pastaj shkova te
familja ime i shqetësuar dhe i hutuar, dhe kur më panë ashtu, ata më pyetën për
problemin që mund të kisha. U tregova se çka kishte ndodhur.

Ata më thanë: ‘Si
guxove ta kundërshtosh urdhrin e Haxhxhaxhit?’

Ajo ishte nata më e
gjatë në jetën time. Dhe para namazit të sabahut, dikush trokiti në derën time,
unë e hapa, dhe e pashë atë njeriun. Shumë u gëzova kur e pashë, dhe bërtita: ‘A
u ktheve?!’

Ai u përgjigj: ‘Subhanallah!
Si të mos kthehesha kur e mora Allahun për dëshmitar timin. A mund ta tradhtoj
premtimin e dhënë Allahut dhe të mos vijë në ekzekutim?!’

Unë i thashë: ‘Pasha
Allahun, do të ndihmoj sa të mundem.’

Pastaj, pas namazit
të sabahut, u nisa me të për tek Haxhxhaxhi. Kur hyra te Haxhxhaxhi, ai më pyeti:
‘Ku është i burgosuri yt?’

Unë u përgjigja: ‘Ai
është para derës, por rreth tij lidhet një tregim i pazakontë!’

Ai pyeti: ‘Çfarë
tregimi?’

Unë, pastaj i
tregova se çka kishte ndodhur midis meje dhe atij muslimani të burgosur. Pas
kësaj, Haxhxhaxhi urdhëroi që ta sjellin brenda, pastaj më tha: ‘O Kutejbe, a
dëshiron ti që unë ta falë atë dhe çështjen të ta lë ty?!’

‘Po‘, u përgjigja.

Haxhxhaxhi tha: ‘Ai
është i yti, bëj me të çka të dëshiron.’

Kur dola me të nga pallati
i Haxhxhaxhit, i thashë: “Shko ku të duash, ti je i lirë!”

Ai e ngriti shikimin
kah qielli dhe tha: ‘Të falënderoj Ty, o Allah!’

Pastaj u largua pa asnjë
fjalë. Ai as nuk u përshëndet me mua dhe as nuk më falënderoi për atë që bëra
për të!!

Mirëpo pastaj, pas
tri ditësh ai erdhi dhe më tha: ‘Allahu të shpërbleftë! Pasha Allahun,
unë nuk e kam harruar atë që bëre ti për mua, por nuk kam dashur në atë moment që
falënderimi im ndaj Allahut të përzihet me falënderimin ndaj kujtdo tjetër!’

Përkthim:
Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-