Mprehtësimi i rivalitetit gjeopolitik ndërkombëtar mbi burimet natyrore i ka kthyer disa burime strategjike në mjete të luftës për pushtet. Burimet ujore transnacionale janë bërë një burim veçanërisht aktiv i rivalitetit dhe konfliktit, duke nxitur një garë të ndërtimit të digave dhe duke u dhënë shtysë thirrjeve në rritje për Kombet e Bashkuara që ta njohin ujin si një çështje kyç për sigurinë.
Uji është ndryshe prej burimeve të tjera natyrore. Tekefundit, shumë burimeve u gjendet zëvendësuesi, duke përfshirë naftën, por jo ujit. Në mënyrë të ngjashme, vendet mund të importojnë lëndë djegëse fosile, minerale, dhe burime nga biosfera, si peshk dhe lëndë drusore, por ato nuk mund të importojnë ujë, i cili është në thelb lokal, në një masë të madhe dhe mbi një bazë të tejzgjatur, shumë më pak të përhershme. Uji është më i rëndë se nafta, duke e bërë atë tepër të kushtueshëm për t’u transportuar në largësi të mëdha, edhe me tubacione (që do të kërkonte pompa shumë të fuqishme).
Paradoksi i ujit është se ai jep jetë, por gjithashtu mund të shkaktojë vdekje kur bëhet bartës i mikrobeve vdekjeprurëse apo kur merr formën e një cunami, përmbytjeje, stuhie apo uragani. Shumë prej katastrofave më të mëdha natyrore të kohës sonë, duke përfshirë, për shembull, katastrofën e Fukushimës në 2011-n, janë të lidhura me ujin.
Ngrohja globale po i kufizon gjithnjë e më shumë rezervat e ujit të pijshëm, ndërsa niveli i oqeaneve po rritet dhe po shtohet shpeshtësia dhe intensiteti i stuhive dhe i dukurive të tjera ekstreme të motit. Ekspansioni i shpejtë ekonomik dhe demografik e ka kthyer tashmë mundësinë për të patur ujë të pijshëm të mjaftueshëm në një çështje të dorës së parë në pjesë të mëdha të botës. Për shembull, ndryshimet në mënyrën e jetesës kanë stimuluar konsumin në rritje të ujit për frymë, me të ardhurat në shtim që inkurajojnë ndryshime dietetike, veçanërisht konsumin më të lartë të mishit, prodhimi i të cilit kërkon mesatarisht dhjetë herë më shumë ujë se kaloritë dhe proteinat me bazë bimore.
Sot numri i banorëve të tokës është pak më shumë se shtatë miliardë, por gjëja e gjallë numëron në çdo kohë të caktuar më shumë se 150 miliardë. Gjurma ekologjike e drejtpërdrejtë e gjësë së gjallë është më e madhe se ajo e popullatës njerëzore, me rritjen me të shpejtë të konsumit botëror të mishit duke u bërë vetiu një shtytës kyç i ngushticës për ujë.
Luftëra politike dhe ekonomike për ujë po zhvillohen tashmë në një sërë rajonesh, reflektuar në ndërtimin e digave mbi lumenjtë ndërkombëtarë dhe në diplomacinë detyruese apo në mjetet e tjera për t’i penguar vepra të tilla. Sillni në mendje, për shembull, luftën e heshtur për ujë të nxitur nga ndërtimi prej Etiopisë i digës mbi Nilin e Kaltër, që ka sjellë kërcënimet egjiptiane për raprezalje ushtarake të maskuara apo të hapura.
Një raport që pasqyron gjykimin e përbashkët të agjencive të shërbimeve informative të SHBA-ve paralajmëronte vitin e shkuar se përdorimi i ujit si një armë lufte apo si një instrument terrorizmi do të bëhej më i mundshëm në dekadën e ardhshme në ca rajone. Këshilli i Ndërveprimit, që përfshin më shumë se tridhjetë ish-kryetarë shtetesh apo qeverish, ka kërkuar veprim të menjëhershëm për t’i penguar disa vende që ndeshen me mungesa të theksuara të ujit të bëhen shtete të dështuara. Nga ana e tij, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka ngritur ujin në “një çështje qendrore të politikës së jashtme të SHBA-ve”.
Mungesa e ujit të mjaftueshëm po i kushtëzon gjithnjë e më tepër vendimet në shumë shtete mbi vendin e ngritjes së strukturave të reja industriale dhe të impianteve energjitike. Banka Botërore vlerëson se kushtëzimet e tilla po i kushtojnë Kinës 2.3% të GDP-së. Por Kina nuk është ende në kategorinë e shteteve që janë në ngushticë për ujë. Ato që janë, nga Koreja e Jugut dhe India, te Egjipti dhe Izraeli, po paguajnë një çmim edhe më të lartë për problemet e tyre me ujin.
Këto vende e kuptojnë tanimë se uji është një burim i përtëritshëm, por i kufizuar. Kapaciteti i furnizimit me ujë nga natyra është i palëvizshëm, duke i kufizuar burimet e ujit të ëmbël të përdorshëm në rreth 200.000 kilometër kub. Por numri i popullsisë thuajse është dyfishuar që nga viti 1970, ndërsa ekonomia globale është rritur edhe më shpejt.
Ndërkaq, shtimi i kërkesës për ujë nuk po nxitet vetëm nga rritja ekonomike dhe demografike, apo nga prodhimi shtesë industrial, ushqimor dhe i energjisë për t’iu përgjigjur niveleve në rritje të konsumit, por gjithashtu nga fakti se popullata botërore po bëhet më e dhjamur. Treguesi mesatar i masës trupore (BMI) së njerëzve është rritur në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, por veçanërisht që nga vitet 1980, me përhapjen e dhjamosjes të dyfishuar në tre dekadat e fundit.
Qytetarët më të rëndë kanë kërkesa më të rënda për burime natyrore, veçanërisht për ujë dhe energji. Në këtë mënyrë, çështja nuk është vetëm se sa gojë janë për t’u ushqyer, por po ashtu se sa yndyrë të tepërt trupore ka në planet. Për shembull, një studim i botuar në periodikun britanik BMC Public Health ka bërë me dije se nëse pjesa tjetër e botës do të kishte të njëjtin tregues të masës trupore si SHBA-të, kjo do të ishte njësoj sikur t’i shtoje popullsisë globale pothuajse një miliardë banorë, duke e përkeqësuar së tepërmi ngushticën për ujë.
Me epokën e ujit të lirë dhe të bollshëm të zëvendësuar nga rritja e kufizimeve të furnizimit dhe cilësisë, shumë investues po fillojnë ta shohin ujin si naftën e re. Rritja dramatike e industrisë së ujit me shishe që nga vitet ’90 dëshmon për shtimin e komodifikimit të burimit më kritik të botës. Jo vetëm mungesat e ujit ka gjasa të shtohen dhe përhapen, por konsumatorët gjithashtu kanë për të paguar vazhdimisht më shumë për furnizimin e tyre me ujë.
Kjo goditje e dyfishtë mund të zbutet vetëm me ruajtjen dhe administrimin novator të ujit, dhe me zhvillimin e burimeve jotradicionale të furnizimit. Ashtu si në sektorin e gazit dhe naftës, ku shfrytëzimi i burimeve jokonvencionale, të tillë si i rërave bituminoze dhe rreshpes, ka rezultuar një ndryshues loje, sektori i ujit duhet të adoptojë të gjitha alternativat jokonvencionale, duke përfshirë riciklimin e ujit të mbetur dhe shkripëzimin e oqeanit dhe të ujërave të njelmët.
Shkurt, ne duhet të përqendrohemi në trajtimin e problemeve të furnizimit tonë me ujë sikur jetët tona të vareshin prej tij. Në fakt, varen.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.