Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar për disa projekte infrastrukturore që janë duke u realizuar në lokalitete të ndryshme të kësaj komune.
Përmes një postimi në Facebook, Xheladini ka bërë të ditur se punimet përfshijnë rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e kanalizimeve dhe mureve mbrojtëse, ndërtimin e një ure, si dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit.
“Punë konkrete, investime të dukshme në disa lokalitete të komunës sonë”, ka shkruar Xheladini.
Sipas tij, në Zaplluxhe po bëhet heqja e kubëzave, rehabilitimi dhe asfaltimi i rrugës te lagjja e Xhamisë.
Në Bresanë, ai ka njoftuar për kubëzimin, ndërtimin e një pjese të kanalizimit dhe mureve mbrojtëse.
Ndërkaq, në fshatin Kuk po ndërtohet një urë, ndërsa në Brod po rehabilitohet rrjeti i vjetër i ujësjellësit në qendër të fshatit.
“Këto janë disa projekte nga qindra të tjera që do të realizohen këtë vit në shumë fshatra dhe në qendrën komunale”, ka deklaruar Xheladini.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

