Bezdia dhe mërzia nuk kanë vend në jetën e besimtarit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Pasha kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El-Asr, 1-3).

Ekzistojnë dy mirësi, të cilat shumica e njerëzve i lënë pas dore, e ato janë:Koha dhe shëndeti (Muhamedi a.s)

Në momentet kur botën e kanë kapluar kriza të ndryshme, sidomos ajo morale dhe ekonomike, nga një gjë e tillë nuk ka se si të shpëtoj as vendi ynë. Në kësisoj kushtesh, papunësia është në rritje dhe shumica e njerëzve enden rrugëve. Nga bisedat e ndryshme që mund të keni me njerëzit, shpesh mund të dëgjoni frazën e njohur të këtij shekulli: “Kur dikë e pyesim se çfarë bën? Marrim një përgjigje të thjeshtë: Asgjë, më ka kapluar bezdia dhe mërzia”, apo “jeta më është bërë monotone”!

Nuk do të habiteshim kur këtë do ta dëgjonim nga ajo kategori e njerëzve të cilët konsumuan pjesën më të madhe të jetës, siç, mund të jenë pleqtë, të cilët, njëherit, edhe u është dhënë mundësia për të kuptuar se jeta kalon shumë shpejt. Por, nuk mund të qëndrojmë e të mos mbetemi të hutuar kur një gjë të tillë e dëgjojmë nga besimtarët, sidomos nga ata të rinjtë, të cilët shpesh ankohen se nuk kanë se çfarë të bëjnë, duke u përgjigjur: Çfarë të them, bezdie e madhe… jeta është bërë monoton… kafe…shtëpi, xhami…shtëpi…

O Zot! Vallë, si është e mundur që monotonia, bezdia dhe mërzia të kenë vend në jetën e besimtarit musliman? Si ka mundësi që dita e besimtarit të jetë e njëjtë, pa kaluar apo provuar edhe çastin më të vogël të një eksperience të re? Shih, se çfarë thotë Allahu i Madhërishëm në suren e Kohës: “Pasha kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El-Asr, 1-3). Zoti ynë, duke e ditur se ne jemi krijesa që harrojmë, nëpërmjet këtyre ajeteve na paralajmëron se njeriu, në të vërtetë, në gjithçka është humbës, përveç se në kryerjen e veprave të mira, këshillimin dhe thirrjen në rrugën e drejtë.

A thua, vallë, jetojmë në një kohë kur jeta jonë do të ishte monotone dhe e bezdisshme?! Vallë, a nuk kemi mënyra të mjaftueshme për të vrarë bezdinë dhe monotoninë?!

Në kohën në të cilën po jetojmë kemi mënyra të bollshme për të bërë vepra të mira, ngase jetojmë një kohë ku secili ka nevojë për përkrahje dhe ndihmë, qoftë e vogël apo e madhe. Allahu i Madhërishëm na ka sprovuar me sëmundje të ndryshme, ku spitalet janë të mbushura. Kur njeriu është i sëmurë, ka nevojë për një mik i cili do t’ia kishte kthyer shpresën dhe buzëqeshjen; ata kanë nevojë t’iu përkujtojmë Zotin dhe mirësitë e Tij. Ja një punë, ku ne mund ta kishim vrarë monotoninë dhe bezdinë. Sa e sa njerëz të sëmurë ekzistojnë sot, të cilët nuk kanë asnjë të afërt, s’ka kush i viziton dhe t’i gëzojë me fjalë të bukura, me ushqime të shijshme dhe t’u dërgoj tesha të pastra. Sa prej tyre kemi që nuk ka kush i vesh, t’i ushqej, t’i pastroj, kurse ndërsa neve na kapluar mërzia dhe bezdia! Absurde!

Ndër sprovat e Zotit janë edhe vërshimet, tërmetet, cunamet, pandemitë. Të mos harrojmë, Allahu e ka sprovuar edhe atë që është kapluar nga këto katastrofa, por edhe atë që dëgjon për ngjarjet e tilla. Ndoshta neve na ka kapluar bezdia, ndërkohë që mijëra njerëz nuk kanë fuqi të vazhdojnë më tej nga tronditjet e këtyre katastrofave. Ndoshta neve jeta na është mërzitur, ndërkohë që mijëra pleq, të rinj e të reja fshijnë lotët në fytyrat e njerëzve të plagosur dhe të lodhur nga sprovat e jetës. Sigurisht, jeta na është bërë monotone, duke luajtur lojëra në kompjuterët tanë. Jeta na është bërë monotone duke shkruar nëpër rrjete të ndryshme që s’kanë asnjë farë vlere, por qëllimi i tyre është humbja e kohës dhe prishja e familjes. Ndoshta jeta na është bërë bajat, sepse jeta jonë nuk përkon aspak me jetën që e shohim në serialet e ndryshme, dhe aspak nuk jemi të kënaqur me shtëpinë, familjen dhe jetën të cilën e jetojmë!

Si asnjëherë më parë toka jonë është e papunuar, ndërsa varfëria është në kulm. Nuk ka kush e punon tokën pjellore dhe riskun e saj ta ndajë për hir të Allahut. Si duket, më të vjetrit tanë kot po na luten të punojmë tokën, sepse në fusha nuk mund ta gjejmë Mesenxherin, Paltakun dhe rrjetet e tjera ku do ta kishim kaluar kohën.

Fusha nuk është për ne, sepse asnjëherë se kemi punuar, apo edhe se s’kemi leverdi!

Mund të pajtohemi se punimi i tokës nuk është në modë, por, vallë, sa e sa fëmijë të pa edukuar i kemi nëpër rrugë dhe parqe?! Sa e sa të këqija i kemi në mesin ku jetojmë, ndërsa neve na është bërë jeta monotone! Sa e lumtur do të na dukej jeta nëse do të vendosnim të bisedonim për problemet e tilla dhe të fillonim me projekte të thirrjes në rrugën e Zotit. Megjithatë, shumica do të përgjigjej: “Jo mor, ç’na intereson neve kjo punë, Allahu është Ai që udhëzon – jo ne”. Gjithsesi, menjëherë gjejmë arsye për të humbur kohën në gjëra të pa vlerë, dhe gjithmonë jeta do të na duket e bezdisshme, mirëpo të mos harrojmë se do të vijë koha kur nuk do të kemi të drejtë të arsyetohemi dhe koha, që e kemi kaluar kotë, nuk do të kthehet përsëri.

Nëse dita të duket e bezdisshme dhe monotone, pse nuk e provon që me shoqërinë pas faljes së namazit të akshamit apo jacisë të dilni në shëtitje dhe të bisedoni për projekte të ndryshme. Mund të shkoni dhe të luani futboll, ndërkohë që do të çlodheni nga streset e ditës. Gjithashtu mund të takoni ndonjë mik, të cilin ndoshta një kohë të gjatë nuk e kishit parë. Ja një mundësi për të kaluar kohën në vepra të cilat do t’u kishin bërë të lumtur.

Krijesa më e dashur tek Allahu, i dërguari ynë, Muhamedi a.s na paralajmëron për një gjë të tillë:“Shfrytëzoni pesë gjëra para pesë gjërave të tjera: Rininë para pleqërisë, shëndetin ara sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të jesh shumë i zënë dhe jetën para vdekjes.” (Tirmidhiu).

Gjithashtu i Dërguari i Allahut në një hadith tjetër thotë: “Ekzistojnë dy mirësi, të cilat shumica e njerëzve i lënë pas dore: koha dhe shëndeti.”

Njeriu, vetëm kur bie në shtrat nga sëmundja e kupton rëndësinë e shëndetit, dhe premton se do të ndryshojë kur të shërohet dhe do të ketë më shumë kujdes për shëndetin e tij. Ndërsa koha kalon aq shpejt sa nuk mund ta marrim me mend. Nëse lejojmë që koha të na kalon kot, duke mos e shfrytëzuar atë, në edukimin e fëmijëve, të bërit mirë prindërve, familjes dhe miqve, vetëm atëherë, kur do t’i humbim këto, do të kuptojmë gabimin që kemi bërë, duke mos shfrytëzuar kohën në vepra të mira.

Secili nga ne afër vete mund të këtë dikë i cili ka nevojë për ndihmë materiale apo çfarëdo lloj ndihme tjetër, po vallë sa e shfrytëzojmë këtë mirësi që na është dhënë. Në të vërtetë, nëse të jepet mundësia t’i bësh mirë dikujt, është mirësi e madhe.

A kemi menduar ndonjëherë për sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s dhe gjeneratat pas tyre, se si i kanë shfrytëzuar mirësitë e Zotit? T’i marrish si model ata: Çdo ditë kur kanë dalë nga shtëpitë e tyre e kanë lutur Allahut që t’u dërgoj dikë t’i ndajnë apo t’i bëjnë ndonjë të mirë. Të kujtojmë Ebu Bekrin r.a, i cili edhe në momentin kur ishte udhëheqës i besimtarëve, gjente kohë që të shkojë tek një grua e moshuar dhe t’ia pastroj shtëpinë.

Nuk ka nevojë të lusim Allahun të na dërgojë dikë për t’i ndarë diç apo për t’i ndihmua dikujt, mjafton që kur të dalim nëpër rrugë dhe të shohim anash. Sigurisht, do ta habitemi kur të shohim se afër kontejnerëve do të gjemë shumë njerëz që kanë nevojë për një kafshatë buke, dhe ja rasti për të fituar xhenetin. Do të gjejmë shumë njerëz të cilët do të ishin shumë të lumtur nëse do t’ua jepnin edhe teshat që ne na kanë dalë pre qejfi.

Ndonjëherë do të ndihmosh duke dhënë para, ndonjëherë duke ndarë pak ushqim, por gjithmonë mund të gjendet diçka që t’i mund ta fitosh lumturinë në këtë botë por edhe në botën tjetër. Mirëpo, jo. Neve na duket bezdi, jeta na është bërë monoton; na vjen mërzi t’i ndihmojmë dikujt, na vjen mërzi t’i pyesim fqinjët a kanë nevojë për diçka! Për ne kjo është bezdi, mirëpo edhe më tej presim që të na lavdërojnë dhe respektojnë. Presim që ne të jemi shembuj të shkëlqyer, siç edhe duhet të jetë, mirëpo shembujt bëhen nëpërmjet veprave e jo vetëm fjalëve.

Nëse do të shihnim libraritë dhe bibliotekat, nuk mund të qahemi dhe të themi se s’kemi libra, falë Zotit të tilla kemi plotë, dhe gjithsesi, duhet falënderuar Allahun i cili na e ka bërë të mundshme të kemi literaturë të bollshme. Mirëpo, të paktë janë ata që lexojnë dhe i mësojnë edhe të tjerët. Librat i marrim vetëm për zbukurim të rafteve tona. Fshatrat dhe qytet tona janë bërë të mjerë, sepse njerëzit që jetojnë aty flasin vetëm për kënaqësitë e kësaj botë dhe për asgjë tjetër. Megjithatë, edhe krahas kësaj kemi plotë prej tyre që gjenden në një depresion të thellë, për shkak të papunësisë dhe joaktivitetit. Monotonia po i mbush me boshllëk dhe zemrat janë mbuluar nga mërzia dhe ankthi.

Thotë i Dërguari i Allahut s.a.v.s “Në të vërtetë, Allahu, melekët e Tij, banorët e qiejve dhe të Tokës, madje edhe milingona në koshtarin e saj çon salavatë (lutet dhe kërkon falje) për ata që i mësojnë njerëzit në të mirë.”

Por vallë sa mundohemi ne që të fitojmë këtë salavat? Sa mundohemi t’i mësojmë të tjerët të punojnë vepra të mira?

Mënyra për të plotësuar çdo minutë të jetës sonë kemi mjaftë, sa që mund te jemi të pakënaqur që s’kemi bërë edhe më tepër. Do të vijë dita kur do të qajmë edhe për sekondat e qëndrimit në sexhde, do të qajmë se përse nuk qëndruam më gjatë duke madhëruar Zotin. Vetëm humbësit më të mëdhenj mund të lejojnë që koha t’u kaloj kot. Hasan El-Basriu ka thënë: “O biri i Ademit! Në të vërtetë ti je vetëm një numër i caktuar i ditëve. Kur të kalon një ditë, kalon edhe një pjesë e jotja.”

Dhe deri sa jeta na duket monotone dhe na ka kapluar bezdia e s’dimë se çfarë bëjmë; nuk e kuptojmë se cilën e kemi më afër: sëmundjen apo shëndetit, varfrin apo pasurinë, zënien apo kohën e lirë, engjëllin e vdekjes apo Ditën e Gjykimit, Allahu i Madhërishëm në suren En’am na porosit: “…Ditën kur të vijnë disa shenja të Zotit tënd, atëherë nuk do t’i bëj dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë ndonjë të mirë me besimin e tij! Thuaju: “Pritni, se edhe ne po presim!” (En’am, 158).

Arsim Dauti

Islampress

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-